Salla e Kuvendit e kyçur me çelës! Xhaferi e mbylli për t’i numëruar deputetët

“Mbylleni dorën, mbyllini atje. Unë jap urdhra. Ndize kamerën, mbylleni dorën, numërojini deputetët, cilët janë dhe sa janë në numër”.
Kështu mbrëmë vonë dukej shtëpia e demokracisë. Kuvendi i Maqedonisë së Veriut u shndërrua në teatër.
“Ndodhi që kryeparlamentari Talat Xhaferi të marrë guxim dhe ta mbyllë sallën plenare me të gjithë deputetët brenda. Një skandal të këtillë, mohim të së drejtës së lëvizjes, lirisë së lëvizjes së qytetarëve, lirisë së lëvizjes së deputetëve, lirisë së shprehjes së deputetëve dhe lirisë së mendimit nuk është parë në historinë më të re të Maqedonisë”, tha koordinator i GP të VMRO-DPMNE-së.
“31 deputetë janë të pranishëm, hape derën. Uluni! 38 janë. Uluni. 38 janë të pranishëm, hapini dyert. Shihe…Mos dhëntë zoti kështu që të më vish në shtëpi o njeri, nuk mund të më vish në shtëpi…A kupton? Uluni! Shkoni në vendet tuaja. Kur ta zëvendësojë këtu Çavkov, këtu do të vijë Oliver Spasovski, po! Do të vijë Oliver Spasovski këtu a e di se kur? Asnjëherë! Nëse mundeshin të vinin në 2017, sot nuk munden kur unë jam këtu, uluni në vendet tuaja”, pohoi Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.
Për shkak të ngjarjeve të këtilla, nga VMRO-DPMNE-ja së bashku me “Të Majtën” sot paralajmëruan se do të dorëzojnë interpelancë kundër kryeparlamentarit.
“Nuk e di nëse i kam hapur dyert? Më jep procedurale. Ja, e ke derën e hapur, tani uluni në vendet tuaja. I mbylla për shkak se unë mendova se duhet. Për shkak se Rregullorja kështu thotë…”, tha Xhaferi.
Në lidhje me interpelancën e dorëzuar dhe ngjarjet e mbrëmshme Kuvendi doli me kumtesë.
“Është evident qëllimi i opozitës, e cila gjatë këtyre viteve e pengon punën e Kuvendit dhe miratimin e ligjeve të rëndësishme për qytetarët, edhe kësaj here krijoi përshtypje të rrejshme në opinionin publik se kryetari i Kuvendit të RMV-së vepron kundër Rregullores. Kryetari i Kuvendit deri më tani edhe në të ardhmen do të vazhdojë të punojë sipas Rregullores, Kushtetutës dhe ligjeve, në interes të qytetarëve”, thonë nga Kuvendi.
Nëse dorëzohet interpelanca, sipas Rregullores, Xhaferi interpelancën duhet t’ua dorëzojë deputetëve dhe vetë ai ta shqyrtojë. Ka 15 ditë afat për t’iu përgjigjur deputetëve me shkrim, ndërsa pas skadimit të afatit, duhet ta vendosë në rendin e ditës së seancës së parë të ardhshme të Kuvendit./TV21

Back to top button