Sami Lushtaku paraqitet në gjykatë, dështon seanca

Seanca ka dështuar në mungesë të avokatëve

Në gjykimin ndaj të akuzuarve lidhur me tenderin gjashtë milionësh për sigurimin e objekteve të KEK-ut, Sami Lushtaku është paraqitur në Gjykatë, ndryshe nga seanca e kaluar gjatë së cilës kishte munguar. Megjithatë, seanca ka dështuar shkaku i mungesës së avokatëve.

Të akuzuar për tenderin gjashtë milionësh janë: ish-drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj, ish-kreu i Organit Shqyrtues të Prokurimit, Hysni Hoxha, ish- kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, Esat Tahiri, Milazim Lushtaku, Driton Pruthi e Azem Duraku.

Seanca e kaluar kishte dështuar të mbahej pasi që në Gjykatë pa ndonjë arsye nuk ishte paraqitur Sami Lushtaku. Pasi ishte konstatuar mungesa e tij, kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, kishte urdhëruar sjelljen e Lushtakut me detyrim.

Si duket urdhëresa e gjykatësit Beqir Kalludra i ka bërë punë Sami Lushtakut, që i njëjti kësaj radhe të mos mungojë në Gjykatë.

Ndonëse Lushtaku dhe të akuzuarit e tjerë kanë qenë të pranishëm në seancë gjyqësore, kësaj radhe seanca ka dështuar në mungesë të avokatëve.

Mbrojtësi i të akuzuarit Sami Lushtaku për Kallxo.com konfirmoi se i njëjti nuk ka qenë në seancë gjyqësore kjo për shkak se tha se është duke e respektuar vendimin e Odës së Avokatëve për bojkot të përgjithshëm.

“Nuk kam shkuar në seancë se jam duke e respektuar vendimin e Odës së Avokateve për bojkot të përgjithshëm. Të njëjtën kohë unë mendoj që është bërë një padrejtësi e madhe, na u ka pamundësuar me i kry detyrat tona neve avokatëve”, tha për Kallxo.com avokati Koci.

Sipas avokatit, si pasojë e vendimit të KGJK-së, atyre po u pamundësohet kryerja e detyrave të tyre.

“Na u ka pamundësuar me i kry detyrat tona dhe unë në këtë rast më shumë mendoj për klientin se për vete dhe nuk mund ti ofroj klientit një mbrojtje efektive në këto kushte”, tha Koci.

Avokatët e Kosovës që nga sot kanë hyrë në bojkot të përgjithshëm. Kështu ka njoftuar Oda e Avokatëve të Kosovës. Sipas OAK, “bojkoti i përgjithshëm” që nis të mërkurën do të vlejë për të gjitha Gjykatat, Prokuroritë dhe Policinë në tërë territorin e Kosovës. Vendimi për bojkot erdhi pasi që Këshilli Gjyqësor i Kosovës, nëpërmjet një e-maili dërguar të gjithë kryetarëve të Gjykatave Themelore të Kosovës, si dhe kryetarit të Gjykatës së Apelit dhe të Gjykatës Supreme u ka dhënë urdhër që të aplikojnë urdhrin e kryetarit të Gjykatës Themelore të Prizrenit.

Back to top button