Samiti i Ballkanit Perëndimor me BE-në, Varhelyi: Patëm marrëveshje për katër fusha

(Lajm i përditësuar)


​Samiti, Xhaferi: Plani për rritje përfshinë edhe Kosovën

Kryeministri në detyrë i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka thënë se ende s’ka ftesë për vizitë zyrtare në Kosovë.

Megjithatë, kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, tha se raportet mes dy vendeve janë miqësore dhe s’ka asnjë pengese në komunikim.

“Në dasmë kur shkohet, shkohet me ftesë…Nuk është vetëm çështje ftese, por jemi me agjendë, dihet se jemi para zgjedhjeve….Raportet janë të dy vendeve miqësore, dy institucioneve përkatëse dhe s’ka asnjë pengesë në komunikim institucional”, theksoi Xhaferi.

Këto komente, Xhaferi i bëri para mediave të Kosovës, pas Samitit BE-Ballkan Perëndimor, që u mbajt sot në Tiranë.

Ai tha se në kuadër të Planit të rritjes për Ballkanin Perëndimor përfshihet edhe Kosova.

“Gjithsesi që aspekti i Planit për Rritje të Ballkanit Perëndimor nuk është përjashtues për asnjë prej vendeve të rajonit. Vetë nocioni Ballkan Perëndimor përfshinë të gjitha vendet, përfshirë edhe Kosovën. Çështja është e raporteve dhe vendosjes së komunikimit të duhur dhe plotësimit të aspekteve që nënkupton plani i rritjes. Nevoja është që ta hapen rrugët e gjelbra, në kuptimin e mallrabe, bizneseve që në mënyrën më të shkurtë kohore të shkojnë në destinacion në tjetrin. Esenca është që vendet e Ballkanit Perëndimor mos ti bëhen njëra-tjetrës pengesë në këto kërkesa”, tha ai.

Sipas tij, bashkëpunimi ekonomik në rajon duhet të çlirohet nga ndikimet politike.

“Mospajtimet politike rezultojnë me pengesa të tjera, të lihen anash bisedimet dhe mospajtimet politike. Aspekti ekonomik te çlirohen nga ndikimet politike””, theksoi Xhaferi.


Samiti i Ballkanit Perëndimor me BE-në, Varhelyi: Patëm marrëveshje për katër fusha

Në kuadër të samitit të Ballkanit Perëndimor me BE-në për Planin e ri të Rritjes sot në Tiranë, komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, ka bërë të ditur se është nënshkruar marrëveshja për katër fusha.

Në kuadër të samitit të Ballkanit Perëndimor me BE-në për Planin e ri të Rritjes sot në Tiranë, komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, ka bërë të ditur se është nënshkruar marrëveshja për katër fusha.

Varhelyi theksoi se vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor do të marrin 6 miliardë euro ndihmë, por për t’i tërhequr këto fonde shtesë në formën e granteve dhe huave ka disa kushte që duhen plotësuar nga vendet e rajonit.

Ai ka bërë të ditur detajet e marrëveshjes, e që kanë të bëjnë me rishikimin e kostove të transaksioneve, heqja e kohës së pritjes në pikat kufitare, puna kërkimore shkencore dhe rrjeti falas i internetit në hapësirat publike në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

“Mendoj se sot, ne patëm marrëveshje për katër fusha. E para, rishikimi i kostove të transaksioneve. Bankat duhet të aplikojnë të njëjtat rregulla, si në vendet e origjinës. Mendoj se ka pasur dakordësi që kjo gjë do të arrihet sivjet. E dyta, korsitë e gjelbra. Të heqim kohët e pritjes në pikat kufitare. Të rregullojmë procedurat, në mënyrë që të përshpejtohen pritjet në kufi. Duhet të përfundojë deri në fund të këtij viti. Do të ulë kostot për bizneset. E treta, puna kërkimore shkencore. Të sjellim brezin tjetër të industrive në rajon. Të kemi një qendër, ku këto industri të mund të mbështeten, po flasim për sektorin farmaceutik, digjital etj. Së fundi, rrjeti falas i internetit në hapësirat publike në të gjithë Ballkanin Perëndimor. I kemi fondet për këtë gjë. Duhet t’i pajisim bashkitë me të gjitha mjetet e duhura”, ka thënë Varhelyi.


​Varhelyi: Shqipëria është gati për t’i hapur negociatat për kapitullin e parë të BE-së

Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama në përfundim të samitit BE-Ballkani Perëndimor, tha se udhëheqësit e Këshillit Evropian kanë vendosur që të ndihmojnë shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor me gjashtë miliardë euro. Sipas tij, përmes këtij fondi shtetet rajonale deri në vitin 2027 do të gëzojnë të njëjtin intensitet me shtetet e Bashkimit Evropian.

Varhelyi theksoi se këto shtete duhet të fillojnë me rregullat e Bashkimit e Evropian që nga sot sepse deri në kohën e anëtarësimit ato duhet të jenë gati.

“Evropa është shumë burokratike bëhet fjalë plane instrumente, masa por mendoj që këtë herë ne kemi mundësi që të tregojmë se cilat janë përfitimet e drejta ekonomike të një vendi që kur bëhet shtete anëtar dhe cilat janë edhe të mirat që sjell në shoqëri anëtarësimi në BE. Rajoni juaj mund të bëhet gati për anëtarësim në BE edhe më shpejt, ne nuk është që po negociojmë se si dhe kur pas anëtarësimit do të fillohen rregullat dhe standardet e Bashkimit Evropian, por të fillojnë këto rregulla që sot, në mënyrën që ne kur të arrijmë tek anëtarësimi kjo gjë që të jetë kryer tashmë dhe të mos flasim për këtë gjë sepse do të jetë realitet. Sigurisht që ne e kuptojmë që pjesëmarrja në tregun e përbashkët ka të bëjë me konkurrencën, dhe konkurrenca në tregun e përbashkët të BE-së është e fortë, konkurueshmëria e shteteve anëtare të BE krahasuar të Ballkani Perëndimor është shumë e madhe dhe do të ishte e padrejtë që ne t’u kërkojmë partnerëve të Ballkanit Perëndimor që të marrin pjesë në tregun e përbashkët, ku ata kanë më pak mundësi për të konkurruar në krahasim me kompanitë tonë, dhe për këtë arsyeje ne po japim fonde shtesë për të ndihmuar të gjitha reformat të cilat janë të nevojshme dhe të domosdoshme të kryhen sepse shumica e këtyre kanë koston e tyre financiare, për biznese, për qeverinë dhe për shoqërinë. Udhëheqësit e Këshillit Evropian kanë vendosur pa asnjë ndryshim të këtij dokumenti që 6 miliardë euro duhet të ndihmojnë rajonin që me anën e kësaj mbështetje financiare, ju do të shikoni që kjo është sasia e fondeve që u jepet shteteve anëtarëve sipas fondeve strukturore dhe deri në vitin 2027 rajoni do të gëzojë të njëjtin nivel intensiteti. Kjo do të thotë që do të jetë shumë e vështirë ose pas vitit 2027 do të ishte e vështirë me vendet e rajonit nuk jemi gati për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian” tha Varhelyi.

Tutje, Varhelyi shtoi se Shqipëria është gati për të nisur negociata për kapitullin e parë për Bashkimin Evropian dhe për këtë BE-ja do të ketë mundësinë që ta marrë parasysh.

“Unë nuk mendoj se ka në Bruksel njerëz që nuk bien dakord për këto arritjet e Shqipërisë. Gjithashtu ne jemi të dakorduar në Bruksel për faktin që Shqipëria është gati për të hapur negociata për grup kapitullin e parë dhe Bashkimi Evropian do të duhet që të ketë mundësinë që të marrë këtë vendim. Ne po përpiqemi të ndihmojmë dhe shpresoj që në muajin në vijim do të kemi atë takimin ose konferencën tjetër në mënyrë të kalojmë te negociata e vërteta. Ne dëshirojmë të hapim negociatat për grup kapitullin e parë”, shtoi Varhelyi.


​Varhelyi: Kemi një plan ambicioz, rajonit t’i ndahen edhe 6 miliardë euro tjera

Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, gjatë fjalës së tij në punimet e Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë u shpreh se Plani i Rritjes është ambicioz.

Në Samitin e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, Varlehyi potencon se procesi i zgjerimit nuk ka të bëjë vetëm me kapitujt.

Sipas tij, procesi ka të bëjë me integrimin e ekonomive dhe shoqëritë të rajonit në BE.

Sipas Varhelyi, në mënyrë që të ecet përpara, një gjë duhet ta bëj edhe rajoni dhe të arrihen rezultate në reforma të cilat do ta bënin funksional planin.

Ai gjithashtu u bëri thirrje partnerëve që përveç 30 miliardë eurove të ndara, rajonit t’i ndahen edhe 6 miliardë euro të tjera në mënyrë që të arrihet niveli i fondeve strukturore i Bashkimit Evropian për shtetet anëtare.

Varhelyi theksoi se institucionet financiare si BERZH dhe FMN duhet ta përshpejtojnë punën e tyre të cilat sipas tij do të ndihmonin në rritjen ekonomike të rajonit.


Samiti i Tiranës, liderët realizojnë foton familjare

Pjesëmarrësit në samitin e Ballkanit Perëndimor me BE, kanë bërë dhe foton familjare, siç e përcakton edhe protokolli.

Të pranishmit, presidentë e kryeministra, por dhe përfaqësues institucionesh të rëndësishme rajonale dhe europiane, kanë bërë foton dhe më pas janë futur në samit për të vijuar diskutimet e tyre.

Samiti po mbahet, ashtu si dje, në ambientet e Pallatit të Kongreseve.

Pas fotos familjare, në orën 12:30 është përcaktuar edhe një konferencë për shtyp.


Samiti i Ballkanit Perëndimor, Rama: Të mos humbasim mundësinë nga plani i rritjes së BE-së

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se mes vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të vendoset gjithmonë paqja, pasi në të kundërtën rrezikohet integrimi në Bashkimin Evropian.

Rama, në fjalën hyrëse të Samtit BE-Ballkan Perëndimor, i cili po mbahet në Tiranë, tha se ekonomitë e gjashtë vendeve të rajonit nuk mund të lulëzojnë duke penguar lëvizjen ekonomike të njëra-tjetrës.

Ai theksoi se vendet e rajonit duhet të lënë  pas problemet e së shkuarës dhe të merren me të ardhmen, derisa edhe kujtoi nisjen e Procesit të Berlinit.

Krahas kësaj, Rama vlerësoi siç tha Bashkimin Evropian, për mundësitë që përmes Planit të Rritjes po i jep Ballkanit Perëndimor.

“Mundësitë mund të merren ose humben, ne duhet të angazhohemi pa asnjë rezervë, hezitim, apo kufizime apo shtrëngime por që të përfitojmë nga kjo mundësi”, u shpreh Rama.


Kurti merr pjesë vetëm virtualisht në Samitin e Tiranës

Në Samitin rajonal mbi Planin e Rritjes në Tiranë nuk do të merr pjesë fizikisht kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti do të jetë pjesë e Samitit virtualisht përmes një video-adresimi. Kështu ka konfirmuar për KosovaPress zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

Ai ka treguar arsyet përse Kurti nuk do të jetë pjesë e këtij samiti fizikisht.

“Për shkak të angazhimeve të mëparshme, kryeministri I Kosovës, Albin Kurti nuk do të jetë I pranishëm fizikisht në Samitin e sotëm në Tiranë. Megjithatë kryeministri Kurti do të jetë pjesë e Samitit virtualisht përmes përmes një video-adresimi”, thuhet në përgjigjen me shkrim për kp të zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

Të enjten në Tiranë mbahet Samiti rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës me fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian, si edhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Ky samit mbahet një ditë pas atij Ukrainë-Evropa Juglindore në kryeqytetin shqiptar dhe do të ofrojë mundësi të reja për një shkëmbim pikëpamjesh mbi të ardhmen evropiane të rajonit dhe mbi sfidat e përbashkëta rajonale.

Në samit do të jetë i pranishëm edhe komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi.


Sot mbahet Samiti rajonal mbi Planin e Rritjes në Tiranë

Sot në Tiranë mbahet Samiti rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës me fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian, si edhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Ky samit mbahet një ditë pas atij Ukrainë-Evropa Juglindore në kryeqytetin shqiptar dhe do të ofrojë  mundësi të reja për një shkëmbim pikëpamjesh mbi të ardhmen evropiane të rajonit dhe mbi sfidat e përbashkëta rajonale.

Në samit do të jetë i pranishëm edhe komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi.

Arritja e liderëve në samit do të bëhet në Pallatin e Kongreseve nga ora 09:30. Fjalët hapëse mbahen nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe komisionari Oliver Varhelyi nga ora 09:45. Fotot familjare do të bëhen nga ora 10:45. Firmosja e marrëveshjes bëhet në orën 12:00, ndërsa konferenca për media nga ora 12:30.

Ndryshe, Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende.

Plani i Zgjerimit të Ballkanit Perëndimor bazohet në 4 shtylla kryesore: Rritja e integrimit ekonomik me Tregun Unik të Bashkimit Evropian, rritja e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes Tregut të Përbashkët Rajonal, përshpejtimi i reformave themelore dhe rritja e ndihmës financiare.

Bashkimi Evropian do të hapë zona të caktuara të tregut të përbashkët të BE-së për partnerët e Ballkanit Perëndimor përpara anëtarësimit, duke sjellë përfitime të prekshme për qytetarët e tij.

 

Back to top button