Samiti i Procesit të Berlinit më 16 tetor në Tiranë

(Lajm i përditësuar)
Më 16 tetor në Tiranë do të mbahet samiti i radhës i Procesit të Berlinit. Kështu bëri të ditur sot kancelari gjerman, Olaf Scholz gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Sholz tha se punimet për samitin kanë filluar.
13:00 – Scholz pret Ramën në Berlin: Integrimi sa më shpejt në BE ka rëndësi strategjike për Gjermaninë
Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka pritur sot në një takim në Berlin kryeministrin shqiptar, Edi Rama.
Në fjalën e tij ai theksoi se Gjermania dëshiron të shohë sa më shpejt vendet e Ballkanit Perëndimor si anëtare në BE, megjithatë për këtë kërkohet një siguri ekonomike dhe transparencë.
“Integrimi i shpejtë i të 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor për shtetin gjemrman ka rëndësi strategjike. Ne dëshirojmë t’i mirëpresim ata sa më shpejt të jetë e mundur si anëtarë në BE. Për luftën në Ukrainë, ne duhet të angazhohemi ndaj dua ta falenderoj Shqipërinë që merr përsipër si anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB, i mbështet vendimet e politikës së BE. Kemi nevojë për një mjedis me siguri ekonomike, transparencë,” tha Scholz.
08:08 – Rama takon sot kancelarin Scholz
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të zhvillojë sot një vizitë zyrtare në Gjermani, në kuadër të rolit pritës të Shqipërisë në Procesin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor, rol të cilin e mori në Samitin e Procesit të Berlinit më 3 nëntor 2022.
Sipas njoftimit të Qeverisë së Shqipërisë, sot ai do të zhvillojë një takim me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, në Kancelarinë Federale, me fokus koordinimin në kuadrin e kryesimit të Procesit të Berlinit nga Shqipëria, i cili do të pasohet nga takimi mes dy delegacioneve, ku do të diskutohet ndër të tjera mbi bashkëpunimin dypalësh në fushën e ekonomisë dhe të politikës së jashtme, si dhe procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Pas takimit mes tyre, do të ketë një konferencë të përbashkët për shtyp.
“Kryeministri Rama do të takohet ndër të tjera me përfaqësues të lartë të biznesit gjerman, ku do të diskutojë mbi perspektivën e Shqipërisë, në kuadrin e zhvillimit turistik rajonal, si dhe rolin bashkëpunues të Gjermanisë në këtë drejtim, përmes investimeve në këtë sektor, si dhe turistëve të saj. Kryeministri Edi Rama do të vizitojë gjithashtu Panairin Ndërkombëtar të Turizmit, i cili çdo vit mirëpret rreth 10 mijë ekspozues nga më shumë se 180 vende dhe rajone, mes të cilave do të jetë edhe stenda shqiptare”, thuhet në njoftim.

Back to top button