Samiti i Procesit të Berlinit me këngë e valle nga të gjitha vendet e Ballkanit

(Lajm i përditësuar)
Ka përfunduar sensioni i parë në samitin e Procesit të Berlinit ku në fund, liderët e BE-së kanë marrë një tjetër surprizë. Në oborrin përpara Piramidës u dha një shfaqje me këngë e valle nga të gjitha vendet e Ballkanit.
“Fotoja familjare e një dite të mbushur me energjinë e mirë të njerëzve që ndajnë të njejtën dhe të vetmen perspektivë, Europën dhe vlerat e saj”, ka shkruar Rama në “Facebook”.
Von der Leyen: Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të plotësojnë tregun e tyre
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen deklaroi se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të plotësojnë tregun rajonal. Sipas saj, është kusht që këto vende t’i ofrojnë qasje fqinjëve në tregun e tyre. Kështu u shpreh ajo në hapjen e punimeve të Samitit të Berlinit, i cili po mbahet në Tiranë, ku shtoi se ekonomitë në vendet e Ballkanit janë shumë larg njëra-tjetrës.
Në sesionin e parë ku po diskutohet për integrimin e rajonit në tregun unik, presidentja e Komisionit Evropian përmendi luftën në Ukrainë dhe sulmin terrorist të Hamasit.
“Ne kemi parë gjithashtu edhe në sulm të tmerrshëm terrorist të Hamasit që ka vrarë më shumë se 1400 gra, burra, fëmijë, foshnje dhe kjo vetëm për arsye se ata janë hebrenj. Ne përjetojmë një planet që po digjet, jemi të sfiduar nga intelegjenca artificiale dhe në këtë kohëra na duhet miqtë më të mirë të mundshëm dhe ju thatë që ne mund të jemi miqtë tuaj më të mirë. Le të punojmë së bashku që ju të bëheni pjesë e një Bashkimi Evropian që ka treguar që është e mundur që së bashku ne të arrijmë një paqe që të zgjasë, por edhe një begati të qëndrueshme”, deklaroi ajo.
Ajo shtoi se procesi i Berlinit i cili filloi në vitin 2014, synon për të ecur përpara në formë të vërtetë në rajon por edhe për bashkëpunimin rajonal ekonomik.
“Ne tashmë kemi hedhur themele të forta me planin tonë të investimet ekonomike prej 30 miliardë eurosh. Rezultatet po tregohen tashmë, 16 miliardë euro janë përcaktuar dhe janë përdorur tashmë dhe dëshirojë që të flas pak për këtë çështje. Ekonomitë tona në Ballkanin Perëndimor dhe në tregun e vetëm të BE-së janë shumë larg njëra-tjetrës. Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor janë në shifrën 35 për qind të mesatares së BE-së. Me të vërtetë duhet të shlirojmë potencialin që ekziston në Ballkanin Perëndimor dhe që duhet të sjellim atë më pran mesatares tonë. Dhe kjo do ta arrijë edhe plani i rritjes, kjo është ideja”, shtoi ajo.
Në hapjen e punimeve të Samitit të Berlinit, Von der Leyen u shpreh se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të plotësojnë tregun e tyre rajonal.
“Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përfundojnë dhe të plotësojnë tregun e tyre rajonal. Kjo do të thotë që në tregun rajonal të përbashkët, do të thotë që është kusht që edhe vendet e Ballkanit Perëndimor t’i ofrojnë qasje fqinjëve të tyre në tregun e tyre. Po ta kthej këtë që thash ndryshe, në rast se ka bllokime dhe të vetmet bllokim që t’i arrijnë është vetën tënde, për shkak se të tjerët do të ecin përpara. Dhe për të ecur përpara kërkohen reforma të thella edhe për të përmirësuar klimën e biznesit”, përfundoi presidentja e Komisionit Evropian.
Gjashtë vendet rajonale, nën kryesimin e kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe kryetares së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të nënshkruajnë marrëveshjen e re për njohjen e ndërsjellë edhe të katër profesioneve, ku përfshihen kirurgët, mamitë dhe veterinarët, të cilat do t’i shtohen profesioneve që tashmë janë rregulluar për mjekët, dentistët dhe arkitektët.
Michell: Kosova dhe Serbia të shohin drejt së ardhmes, mos të mbahen peng nga e kaluara
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund ta mbajnë peng rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian. Kështu tha presidenti i Këshillit të Evropian, Charles Michel gjatë fjalimit të tij në Samitin e Berlinit që po mbahet në Tiranë.
Ai iu drejtua dyja vendeve duke thënë se fantazmat e së shkuarës nuk duhet t’i lejojnë që t’u djegin të ardhmen.
Michel kërkoi nga Kosova e Serbia të shohin drejt të ardhmes dhe sipas tij kjo kërkon kurajë politike.
“Pajtimi kërkon kurajo politike dhe fokus tek e ardhmja. Kjo do jetë fryma për samitin mes BE-së dhe Ballkanit që do zhvillohet në Bruksel”, tha ai.
Rama: Të gjithë ne besojmë fortë këto ditë në nevojën e një çatie të përbashkët
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në Samitin e Berlinit në Tiranë tha se të gjithë ne sot besojmë në nevojën e një çatie të përbashkët.
Ai u shpreh se një luftë në pragun e Evropës ku një regjim ka detyruar një vend të pavarur të mbrojë territorin e vet, siç u shpreh ai, na ka treguar që bota po ndryshon shumë më shpejtë.
Të gjithë ne besojmë fortë këto ditë në nevojën e një çatie të përbashkët, një tryeze të bashkëndarë e madje edhe të një llogoreje të përbashkët në këto kohë sprove që duket se do të përkeqesohen para se të përmirësohen”, është shprehur ai.
“Një luftë në pragun e Evropës ku një regjim ka detyruar një vend të pavarur të mbrojë territorin e vet na ka treguar që bota po ndryshon shumë më shpejtë e shumë më ndryshe se sa që e kemi parashikuar shumica prej nesh. Ka një sulm shkatërrues kundër Izraelit që ka detyruar një tjetër komb demokratik që të vetëmbrohet, ndërkohë që jemi solidarë me Izraelin. Përhapja e tmerrshme e urrejtjes dëshmon edhe njëherë që pikëpamjet e ndryshme për botën po krijojnë ndasi midis e përreth komitetit tonë demokratik”, u shpreh tutje Rama.
Scholz: Kosova e Serbia duhet t’i zbatojnë marrëveshjet

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka deklaruar se përshkallëzimi i situatës në veri të Kosovës dëshmon faktin se Kosova e Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjen e dakorduar.
Ai ka deklaruar gjatë Samitit në Procesin e Berlinit që po mbahet në Tiranë se është i kënaqur me punën e ndërmjetësve të Bashkimit Evropian mbi dialogun Kosovë-Serbi.
“Procesi i Berlinit është instrumenti më i mirë edhe për përshpejtimin e integrimit të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Procesi i Berlinit është proces bashkëpunimi…Kur situata përshkallëzohet, ne duhet të përfundojmë me zbatimin e marrëveshjeve që janë arritur me anë të dialogut të normalizuar nga Bashkimi Evropian”, ka thënë Scholz.
Nis Samiti i Berlinit
Ka filluar Samiti i Procesit të Berlinit që po mbahet në Tiranë.
Pas pritjes zyrtare liderëve të Bashkimit Evropian dhe atyre rajonal, kryeministri Edi Rama ka hapur sesionin e punimeve, ku gjashtë vendet rajonale, nën kryesimin e kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe kryetares së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen do të nënshkruajnë marrëveshjen e re për njohjen e ndërsjellë edhe të katër profesioneve, ku përfshihen kirurgët, mamitë dhe veterinarët, të cilat do t’i shtohen profesioneve që tashmë janë rregulluar për mjekët, dentistët dhe arkitektët.
Gjatë ceremonisë së pritjes zyrtare kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk pranoi të deklarohet për medie, ndërkaq zyrtarë të BE-së përmenden edhe tensionet e fundit Kosovë-Serbi.
Scholz mbërrin në Samitin e Berlinit në Tiranë
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz u është bashkuar liderëve rajonal e evropian në Samitin e Berlinit që po mbahet nnë Tiranë.
Scholz është pritur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Von der Leyen: Evropa ofron mundësi për ata që duan të ecin përpara
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, ka folur në nisje të Samitit të Procesit të Berlinit që po mbahet për hërë të parë në Tiranë.
Ajo tha se tema kryesore e këtij samiti do të jetë ekonomia.
E para e KE-së theksoi se Evropa ofron mundësi për ata që duan të ecin përpara.
Kurti pritet nga Rama në Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka arritur në samitin e Procesit të Berlinit i cili po mbahet në Tiranë.
Kurti është pritur nga homologu i tij shqiptar, Edi Rama.
Kurti nuk ka pranuar të deklarohet për media para nisjes së punimeve.
Abazoviq: E ardhmja e rajonit tonë është në BE
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abozaviq po merr pjesë në Samiti i Berlinit, i cili po mbahet në Tiranë.
Ai është pritur nga kryeministri Edi Rama. Ndërkohë, shkurt për media ka thënë se e ardhmja e të gjitha vendeve tona është në BE.
“Shpresoj se ardhmëria e të gjithëve është në Bashkimin Evropian”, tha ai.
Aktualisht të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor po hynë tek piramida, ku edhe së shpejti nis samit.
Rutte: Sot kam mundësi të flas me Kurtin e Bërnabiqin për të ulur tensionet
Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, me të arritur në Samitin e Procesit të Berlinit është deklaruar lidhur me situatën në veri të Kosovës.
Rutte ka thënë që pret shtensionim të situatës.
Ai ka thënë se të hënën ka mundësi të flas me kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë për këtë çështje.
“Tensionet në veriun e Kosovës, natyrisht kërkojmë shumë që të shtensionohet situata. Kemi folur më parë me presidentin Vuçiq. Sot kam mundësi të flas me kryeministren e Serbisë dhe kryeministrin e Kosovës. Shpresojmë që të gjithë të ndihmojnë për të ulur tensionet”, ka thënë ai.
Rama pret liderët e BE-së e të rajonit në nisje të Samitit të Procesit të Berlinit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është duke i pritur liderët e Bashkimit Evropian dhe ata të vendeve të rajonit, në nisje të Samitit të Procesit të Berlinit.
“Bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’ – Mirëseardhja e liderëve të rajonit dhe udhëheqësve të BE-së, në nisje të samitit historik të Procesit të Berlinit”, ka shkruar Rama në Facebook.
Begaj për Samitin e Berlinit në Tiranë: Ngjarje e madhe historike
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, përmes ka thënë se mbajtja në Tiranë sot e Samitit të Procesit të Berlinit është një ngjarje e madhe historike.
Ai gjithashtu u ka uruar mirëseardhje dhe punime të mbara delegacioneve pjesëmarrëse.
“Mbajtja ne Tiranë sot e Samitit të Procesit të Berlinit është një ngjarje e madhe historike për rrugëtimin evropian të Shqipërisë dhe rajonit. I uroj mirëseardhjen dhe punime të mbara delegacioneve pjesëmarrëse”, ka shkruar Begaj në “Facebook”.
Gjithçka gati për Samitin e Berlinit
Tirana është gati. Kryeqyteti shqiptar do të jetë sot nikoqir i samitit të Procesit të Berlinit, ku janë mbledhur krerët më të lartë të Bashkimit Evropian, përfshirë kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe presidentin francez, Emmanuel Macron dhe të gjithë liderët rajonal.
Pjesë e samitit është edhe kryeministri Albin Kurti, i cili krahas takimeve të përbashkëta, do të ketë takim bilateral edhe me kancelarin gjerman Olaf Scholz.
Në bazë të agjendës samiti do të nis në orën 11:00 ku do të bëhet pritja e liderëve nga nikoqiri, kryeministri Edi Rama.
Më pas do të hapet sesioni i punës ku pritet që udhëheqësit e Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnjë Hercegovinës pritet të nënshkruajnë ujdinë për njohjen e ndërsjelltë edhe të katër profesioneve, ku përfshihen kirurgët, mamitë dhe veterinarët, të cilat do t’i shtohen profesioneve që tashmë janë rregulluara për mjekët, dentistët dhe arkitektët.
Po ashtu do të synohet të ketë deklarata të përbashkëta për lehtësimin e tregtisë dhe transportin, për mbrojtjen e ambientit dhe partneritetit për klimën.
Ndërkaq nga kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen pritet të jepet propozimi për “Planin e rritjes” i cili ka fokus zgjerimin dhe përafrimin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.
Ndërkaq pasditen e sotme do të jetë konferenca e përbashkët për medie e kryeministrit Edi Rama, kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe kryetares së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Samiti i liderëve të Procesit të Berlinit për herë të parë do të mbahet jashtë kufijve të Bashkimit Evropian.
Pamje të hapësirave se ku do të mbahet Samiti i Procesit të Berlinit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shpërndarë disa pamje nga Tirana, ku kryeqyteti shqiptar do të jetë nikoqir Samiti i Procesit të Berlinit.
Sipas pamjeve të publikuara nga Rama, lokacioni se ku do të mbahen takimet e Samitit të Procesit të Berlinit do të jenë në hapësirat e “Piramidës”.
Sot mbahet Samiti i Procesit të Berlinit
Samiti i Berlinit do të mbahet brenda Ballkanit Perëndimor ku Shqipëria do të jetë vendi pritës.
Tirana është veshur me flamujt e Bashkimit Evropian. Teksa mësohet se sot (e hënë) veç takimeve zyrtare liderët evropianë do të priten me disa element surprizë, tradicionalë, si këngë e valle popullore.
Piramida do të jetë mjedisi kryesor ku do të zhvillohen aktivitetet, që nisin në orën 11 të mëngjesit të 16 tetorit e përfundojnë në orën 19:30. Në hyrje të piramidës është vendosur edhe tabela e Samitit ku do të realizohet fotoja e përfaqësuesve të BE-së, me mikpritësin Edi Rama. Samiti do të hapet me fjalën e kryeministrit Rama, kancelarit gjerman Olaf Scholz, presidentes së Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen dhe presidentit të këshillit të BE-së, Charles Michel.
Më tej do të ketë dy forume pune me tematikë integrimin e rajonit në tregun unik me BE dhe sfidat e mundësitë për investime e rritje në Ballkan. Në drekën e punës të planifikuar në orën 14 do të diskutohet mbi marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.
Pasditja e të hënës do të jetë edhe më ceremoniale me hapjen zyrtarisht të piramidës e cila do të shoqërohet me vizita në godinë e shfaqje të një video të transformimit të piramidës. Në agjendë planifikohet edhe një konferencë e përbashkët për shtyp mes Ramës, kancelarit Scholz dhe presidentes së KE-së, Von der leyen; që pas samitit të BE-së, në 6 dhjetor e shndërrojnë sërish Tiranën si kryeqytetin evropian me Samitin e Berlinit.
Ursula Von Der Leyen është zyrtarja e parë e BE-së që erdhi në Shqipëri një ditë para samitit, ku u prit këtë të diel në aeroportin “Nënë Tereza” nga ministrja e Shtetit Elisa Spiropali; teksa kishte një konferencë me kryeministrin Edi Rama. Ajo ka takuat edhe presidentin, Bajram Begaj. Ajo sot pritet ta prezantojë një plan i cili është në favor të përshpejtimit të vendeve tona drejt BE-së, që është vlerësuar si mjaft i rëndësishëm.
Në samit pritet të nënshkruhen disa marrëveshje që kryesisht lidhen me zhvillimin ekonomik të rajonit.
Për të hartuar planin e masave për mbarëvajtjen e samitit për procesin e Berlinit, policia shqiptare është konsultuar me Europol dhe Interpol.
Para gjatë dhe pas samitit pritet të angazhohen 200 punonjës nga Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës.
Mbrëmë nga ora 20.00 e deri në orën 20.00, të së hënës do të qëndrojnë të bllokuara akset rrugore që konsiderohen perimetër sigurie si bulevardi dëshmorët e kombit dhe Bajram Curri. Rruga “Papa Gjon Pali II”, “Ismail Qemali”, “Mustafa Matohiti”, “Jul Variboba”, “Fatmir Haxhiu”, “Lekë Dukagjini dhe “Ukraina e lirë”.
Brenda këtij perimetri do të ndalohet kalimi edhe i këmbësorëve, përveç rezidentëve dhe gjithë bizneset do të mbyllen.
Ndërkohë që gjatë të hënës pritet të ketë kufizime të pjesshme dhe në akse të tjera. Rruga që lidh aeroportin e Rinasit me ish sheshin shqiponja, pjesa e unazës deri tek rreth rrotullimi i AQUK-ut për të vazhduar me pallatin e brigadave rrethrrotullimin e qytetit student deri tek bulevardi bajram Curri. Kufizimet nisin nga ora 8.00 deri në 12.00 dhe nga ora 15.30 deri në orën 20. 00.
Kufizime të qarkullimit të automjeteve të tonazhit të rëndë, do të ketë në aksin rrugor “Shkodër – Lezhë – Milot – Thumanë – Fushë Krujë – Vorë”.