Saranda çel sezonin “Verë 2017”

1 qershori shënon çeljen zyrtare të sezonit “Verë 2017” për Sarandën

Ajo do të jetë një ditë simbol për marrëdhënien e re me detin, me zhytjen, me diellin dhe turistin. Njëmijë turistët e asaj dite që sjell, si çdo të enjte kruaziera “MSC Poesia”, do të jenë të përfshirë në eventin e organizuar nga bashkia e Sarandës.

Njëherësh, 1 Qershori i sivjetëm do të jetë dhe një ditë promovimesh e organizimesh festive në komunitet, nën shoqërinë e produkteve artistike dhe të shërbimeve turistike e tregtare. Në skenën që do të ngrihet në hapësirën e Plazhit “Rinia” (Centrali), do të ngjiten artistë të moshave të ndryshme. Balerinët, brezat e folkut, violinistë të afirmuar dhe të vegjël, aktorë e prestigjatorë do të jenë në një program argëtues të përbashkët.

Shëtitorja do të kthehet në Panair promocional për këdo që ka për të thënë e për të dhënë diçka si aktor në tregun e turizmit që bëjnë Saranda dhe Ksamili. Gjithçka, si një ftesë për të vizituar apo për të pushuar në destinacionet e dëshiruara, Ksamil e Sarandë, për pushime të paharrueshme në këto brigje.

Bashkia fton të gjithë biznesmenët e fushës së hotelerisë, restoranteve dhe kulinarisë, si edhe tregtarë të tjerë e sipërmarrës të ndryshëm, ta përdorin këtë rast për të realizuar promocionin e produkteve dhe aktivitetit të tyre.

Back to top button