Sardi: Italia mbështet Kosovën në integrimin evropian

Me rastin e 71-vjetorit të pavarësisë së Italisë

Ambasada italiane në Prishtinë të enjten ka festuar 71-vjetorin e pavarësisë së Italisë. Në ceremoninë e shënimit të pavarësisë së Italisë, të pranishëm ishin përfaqësues diplomatikë të vendeve të ndryshme të botës, përfaqësues politik të vendit, biznese.

Me këtë rast, ambasadori italian Piero Cristoforo Sardi, tha se pavarësia e Italisë është shpallur përmes referendumit në vitin 1946 dhe se në ditët e para Italia kishte dalë nga Lufta e Dytë Botërore, me një ekonomi të shkatërruar.

“Italianët morën në dorë rigjenerimin e ekonomisë së vendit tonë benefitet e së cilës ne i gëzojmë sot. Ishte një periudhë e sakrificës, por edhe shpërthim i energjisë, kreativitetit”, ka thënë ai.
Diplomati italian, po ashtu tha se Italia mbështet plotësisht perspektivën e Kosovës dhe të ardhmen e saj në integrimin evropian.

“Si mike e Kosovës, Italia mbështet plotësisht perspektivën e saj të integrimit evropian dhe me gjithë zemër inkurajon Kosovën që të vazhdojë aktivisht në ndjekjen e Evropës së saj. Italia gjithashtu vlerëson përfshirjen më të madhe të të gjithë komponentëve të shoqërisë multi-fetare dhe multi-kulturore në Kosovë.”, tha Sardi.

Ai ka përmendur se Italia është vend anëtar i NATO-s dhe i Bashkimit Evropian, ndërsa në Romë më 25 mars 1957 krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kanë nënshkruar edhe Deklaratën e Romës, që përcakton objektivat e së ardhmes së unionit.

Ai tha se vendet evropiane qëndrojnë të hapura ndaj atyre vendeve që respektojnë vlerat evropiane dhe janë të përkushtuara në promovimin e këtyre vlerave dhe ky është rasti edhe i Kosovës.

Ndryshe, Franca, Gjermania Perëndimore, Italia, Belgjika, Holanda dhe Luksemburgu 60 vite më parë, më 25 mars 1957 themeluan Komunitetin Ekonomik Evropian.

Back to top button