SBASHK: As shantazh, as kërcenim, por paralajmërim se grevë mund të ketë

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK) ka reaguar ndaj deklaratave të ministers së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci. Kjo e fundit në një intervistë kishte thënë se nuk ka vend për greva e aq më pak për shantazhe e për kërcënime.
Por, pas kësaj deklarate SBASHK ka replikuar Nagavcin duke thënë “As shantazh, as kërcenim, po paralajmërim me kohë se grevë mund të ketë”.
SBASHK-u përmes një komunikate për media ka prezantuar kërkesat dhe përkushtimin e punëtorëve të arsimi, mirëpo sipas tyre ministrja Nagavci dhe Qeveria “sikur nuk duan t’i shohin e t’i pohojmë gjithë këto angazhime tonat në shërbim të arsimit dhe kurdo herë që mediet pyesin për paralajmërimet tona legjitime se nëse Qeveria nuk i mbanë premtimet dhe fjalën e dhënë do të ketë veprime sindikale Ministrja Nagavci nervozohet dhe përmend fjalët shantazh dhe kërcenim”.
Tutje SBASHK-u u shpreh se pas takimit me ministren Nagavci që ishte në takimin e tyre me ministrin Sveçla pezulluan protestat e grevat për t’i dhënë hapësirë dialogut dhe punës së  komisionit të ngritur për ligjin e pagave.
“Kërkuam afate dhe kjo është shumë e drejtë e po ashtu u deklaruam publikisht se nëse këto afate nuk respektohen në fund të marsit organet e SBASHK do ta dëgjojnë zërin e anëtarësisë dhe nuk përjashtohen as veprimet sindikale, gjegjësisht grevat dhe Qeveria do të jetë përgjegjëse pse nuk ka mbajtur fjalën dhe premtimin e dhënë”, thuhet në reagimin e SBASHK-ut./21Media

Back to top button