SBASHK kundër testimit të njohurive të mësimdhënësve

Sindikata e Bashkuar e Arsimit e ka kundërshtuar vendimin e Ministres së Arsimit për testimin e mësimdhënësve për licencimin e avancimit në karrierë. Ajo thotë se duhet të bëhet vetëm vlerësimi i performancës së atyre që duan të ngriten në karrierë. Njohës të fushës ndërkaq, vlerësimin e mësimdhënësve e konsiderojnë të nevojshëm dhe obligativ për të gjithë, mirëpo sipas tyre është proces vështirë i realizueshëm.

Deklarata e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, për finalizimin e udhëzimit administrative që e mundëson testimin e mësimdhënësve në qershor të vitit të ardhshëm ngjalli reagime, sidomos të Sindikatës së Arsimit.
Kjo sindikatë është kundër testimit të mësimdhënësve dhe vlerësimit të njohurive të tyre, por, jo kundër vlerësimit të punës së tyre.

Nënkryetarja e Sindikatës së Arsimit Vjollca Shala thotë se dështimet e fundit kanë dëshmuar se sistemi arsimor nuk është prioritet i Qeverisë së Kosovës.

“Nuk lejojmë që mësimdhënësit e Kosovës të hyjnë në teste për vlerësim të njohurive të tyre, mirëpo ne jemi për vlerësim të performancës së tyre, që nënkupton se mësimdhënësit të cilët dëshirojnë të ngriten në karrierë për licenca te avancuara, natyrisht që ata duhet të vlerësohen dhe është e lejume vlerësimi i performancës së mësimdhënësve që është e paraparë edhe me ligjin e pagave ku do të kenë edhe një ngritje të pagave me 10%. Ata të cilët dëshirojnë të kalojnë prej njërës licencë në më të avancuar”, tha Vjollca Shala për RTV21.

Njohësi i fushës së arsimit, Jonuz Salihaj, paralajmërimin për testim të mësimdhënësve e sheh më shumë si një lloj improvizimi sesa qasje serioze për zgjidhjen e problemeve.

“Kjo fare nuk ka të bëjë me baza vullnetare, mësimdhënësit janë të obliguar që t’i nënshtrohen të gjitha niveleve të licencës derisa të arrijnë te mësimdhënësi i merituar, që asnjëherë nuk është bë në Kosovë dhe për këtë duhen edhe fonde, sepse një mësimdhënës me licencë “i merituar” do të duhet ta ketë rrogën me shumë se një mësimdhënës fillestar..e ka vështirë të realizohet sepse nuk janë ndërtu mekanzimat për vlerësim, nuk është ndërtu dmth këshilli, inspektoriati nuk është kompletu, që është një hallkë e rëndësishme, komisioni i ministrisë nuk është themelu dhe nuk dihet kush janë ata njerëz, ata ekspert që do ta bëjnë vlerësimin e kështu me radhë”, tha Salihaj.

Edhe ish- zëvëndësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, konsideron se udhëzimi administrativ për testimin e mësimdhënësve nuk është zgjidhja më e mirë e mundshme.

“Vlerësimi i performacës së mësimdhënësve është e vërtetë që e rritë cilësinë në arsim për arsye se i bënë mësimdhënësit përgjegjshëm në punën e tyre, por sido që të jetë edhe udhëzimi i fundit që është miratu nga Ministria e Arsimit për vlerësimin e performancës së mësimdhënësve, është një udhëzim për të cilin mendoj se nuk është më i miri i mundshëm për arsye se Ministria përmes këtij udhëzimi administrativ thjesht e ka shkarku barrën nga vetvetja sa i përket vlerësimit të performacës të mësimdhënësve të cilët aplikojnë për ripërtrirje të licencës për mësimdhënës të karrierës, ndërsa si barrë të vetën kanë ndalë vetëm pjesën e mësimdhënës të cilët të aplikojnë për licencë të avancuar apo të përhershëm”, tha ai.

Për testimin e mësimdhësve ministrja Arbërie Nagavci ka thënë se janë duke bashkëpunuar edhe me Shqipërinë dhe sipas saj më shumë detaje për këtë testim do të japin në muajt e ardhshëm./21Media

 

Back to top button