SBASHK paralajmëron grevë nga 14 janari

Sot u mbajt grevë një orëshe në institucionet arsimore

Grevës njëorëshe të thirrur nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës, iu kanë përgjigjur 99 përqind të gjitha institucionet arsimore. E nëse nuk do të ketë reflektim të institucioneve përgjegjëse kjo sindikatë paralajmëron që me datën 14 janar të vitit që vjen, do të futen në grevë deri në realizim të kërkesave të tyre.

Kjo grevë ka ardhur pas kundërshtimeve që kjo sindikatë ka për projektligjin për pagat, pasi vlerësojnë se janë diskriminuar në krahasim me sektorët e tjerë.

Gjatë ditës drejtues të SBASHK-ut, kanë vizituar grevistët në shkollën “Dr.Ibrahim Rugova”, në Obiliq. Me këtë rast, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, ka thënë se kjo është vërejtja e fundit për institucionet e Kosovës dhe se nëse nuk do të ketë reflektim do të futen në grevë me kohë të pacaktuar.

“Ligji për pagat është tejet diskriminues, duke filluar nga çerdhet e pastaj sistemi i arsimit para universitar, po edhe administrata në universitete nuk qëndrojnë mirë me këtë ligj. Ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet që ky ligj mos të shkoj si i tillë, por të bëhet korrigjimi, ashtu siç na ka premtuar edhe kryeministri Haradinaj dhe ministri Bytyqi. Kjo grevë është alarmi i fundit, po them uroj që institucionet e Kosovës të punojnë ashtu siç duhet, ta përmirësojnë koeficientin për tërë sistemin arsimor. Në të kundërtën i tërë sistemi arsimor edhe çerdhet, arsimi para universitar, po edhe universitetet me 14 janar të vitit 2019 do të jenë në grevë, e cila do të jetë grevë në kohë të pacaktuar dhe do të përfundojë vetëm atëherë kur kërkesat tona do të realizohen”, ka thënë ai.

Jashari ka shtuar se kërkesë e kanë që çdo koeficient në arsim të rritet për 30 përqind.

Ndërkaq, nënkryetari i degës së SBASHK-ut në Komunën e Obiliqit, Imer Hamiti ka bërë të ditur se të gjitha institucionet arsimore të kësaj komune iu kanë përgjigjur grevës njëorëshe.

“Qind për qind të gjitha shkollat e Komunës së Obiliqit e përkrahin grevën. Kjo grevë është në të mirë të rinisë së Kosovës, në të mirë të shtetit të Kosovës, në të mirë të prindërve, fëmijëve dhe është grevë e imponuar për fajin e Qeverisë. Prandaj, ne jemi koishent në veprimet e tona”, ka deklaruar ai.

Kimete Gruda, është mësuese e klasës së parë në shkollën “Dr.Ibrahim Rugova”, në Obiliq, e cila thotë se paga që merr nuk është e mjaftueshme për punën që e bënë.

“Koeficienti është 1.7, mendoj që për mësimdhënësit është shumë i ulët, për punën që e bëjmë me këta fëmijë shumë të ndjeshëm. Duke e marrë parasysh se ka fëmijë që me rehatimin e klasës së parë është shumë vështirë, adaptimin e fëmijës dje është punë shumë e lodhshme dhe e ngarkuar”, është shprehur shpreh ajo.

Greva njëorëshe në çerdhe ka qenë prej orës 7:00 deri në orën 8:00, ndërsa, në të gjitha shkollat e Kosovës greva është mbajtur në orën e parë të të gjitha ndërrimeve, kurse, në Universitetin e Prishtinës greva është mbajtur prej orës 8:00 deri në orën 9:00.

Back to top button