SBAShK-u i reagon Pupovcit: Nuk është as shantazh, nëse s’rriten pagat do të ketë grevë

Zëvendësministrit të Arsimit, Dukagjin Pupovci i cili deklaroi mbrëmë në ”Argument Plus” në RTV21, se aprovimi i Ligjit të pagave nuk do të thotë edhe ngritje e tyre, i ka reaguar kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj.
Jasharaj ka paralajmëruar se nëse ligji i ri i pagave nuk sjellë lëvizje pozitive në paga atëherë do të ndërmarrin veprime sindikale duke mos e përjashtuar edhe grevën e përgjithshme në tërë sistemin arsimor.
”Këtyre ditëve kur punëtorët arsimorë dhe nxënësit po sfidohen nga pandemia dhe po përballën me shtim të vazhdueshëm të numrit të të prekurve nga Covid ata kanë nevojë për mbështetje e fjalë entuziazmi nga MASHTI dhe nga prindërit e opinioni në tërësi me qëllim që ata të ndjejnë këtë mbështetje e të vazhdojnë në misionin e tyre për arsimimin e edukimin e brezave. Mirëpo në vend të kësaj zëvendësministri Dukagjin Pupovci po kujdeset të dërgoj mesazhe stresi e që krijojnë tensione dhe mobilizim për veprime sindikale. Një mesazh i tillë erdhi nga zëvendësministri Pupovci edhe së fundi kur ai u mor me Ligjin e pagave duke deklaruar se aprovimi i këtij Ligji nuk do të thotë edhe ngritje e pagave. Ai,edhe më shumë se kjo, mundohet të krijojë frikë te të punësuarit në arsim duke deklaruar se na qenkan më shumë se 1000 punëtorë arsimorë që shteti po i mbanë nga mëshira në punë sepse gjoja ata qenkan të tepërt. Kjo deklarata e dytë lexohet si presion se po vazhduam ta ngritim zërin me kërkesat legjitime 1000 e më shumë punëtorë arsimorë do të hedhën në rrugë, por kjo hedhje në rrugë e njerëzve që me dekada punojnë në arsim nuk është punë që bëhet”, thuhet në reagimin e SBASHK-ut.
Në këtë komunikatë për medie nga SBASHK teksa ka paralajëmruar veprime sindikale nëse nuk ka rritje të pagave, ka thënë se ky nuk është një shantazh e as një kërcënim.
Tutje, mbrëmë Dukagjin Pupovci në emisionin ”Argument Plus”, ka deklaruar se ekzistojnë disa koeficient në bazë të të cilëve bëhet rritja e pagave, pra sipas tij fillimisht duhet të rritet vlera e koeficientit e që kjo arrihet përmes rritjes ekonomike të shtetit./21Media

Back to top button