Filloi protesta kundër shtrenjtimit të rrymës

Ka filluar protesta e cila është thirrur nga PSD kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.
Kryetari i PSD-së Dardan Molliqaj ka bërë të ditur se protesta do të jetë paqësore.
Molliqaj i ka ftuar edhe partitë opozitare që janë në Kuvendin e Kosovës, por të njëjtat kanë konfirmuar që nuk do të marrin pjesë në këtë protestë, por kanë thënë se e mbështesin.
Ndryshe, PDK dhe AAK kanë bërë të ditur se nuk janë organizatorë të protestës dhe se nuk do të marrin pjesë në protestë.


Në Kosovë është paralajmëruar rritja e çmimit të rrymës, pasi, siç ka thënë nga Qeveria, vendi po blen rrymë me çmime të larta dhe nuk po mund të plotësojë kërkesën me prodhimin e rrymës në termocentralet e Kosovës. Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka propozuar rritje të çmimeve të energjisë për amvisëritë, por jo për bizneset. Qeveria ka ndarë 75 milionë euro që të subvencionojë një pjesë të faturave të energjisë.
Ja sa do të paguani sipas propozimit të ZRRE-së:  
Nëse jeni në kategorinë A, pra nëse gjatë një muaji shpenzoni 300 kilovatë orë energji elektrike, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 18.87 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 20.40 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të mbetet e njëjtë: 18.87 euro.
Nëse jeni në kategorinë B, apo gjatë një muaji shpenzoni 450 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 27.37 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 29.66 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të mbetet e njëjtë: 27.37 euro.
Nëse jeni në kategorinë C, që do të thotë se për një muaj shpenzoni 600 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 35.86 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 38.92 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj mbetet e njëjtë: 35.86 euro.
Nëse jeni në kategorinë D, pra nëse gjatë muajit shpenzoni 800 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 47.19 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 74.17 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të jetë: 59.50 euro.
Nëse jeni në kategorinë E, që do të thotë se gjatë muajit shpenzoni 1000 kilovatë, atëherë çmimi aktual i faturës suaj është 58.52 euro. ZRRE-ja ka propozuar që kjo faturë të rritet në 109.42 euro. Por, me subvencionim nga Qeveria, fatura juaj do të jetë: 83.14 euro. /21Media

Back to top button