SBASHK-u kërkon të tërhiqet Projektligji i pagave e të ndihmohet Ushtria

SBASHK-u kërkon që për një vit mos të ketë ngritje pagash që nga presidenti e deri te njeriu i fundit që merr pagë nga shteti

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës ka kërkuar tërheqjen e Projektligjit për pagat dhe që buxheti prej dhjetëra milionë eurove shtesë që duhen për Ligjin e pagave të dedikohen për Ushtrinë e Kosovës për të blerë një pjesë të mjeteve të domosdoshme.

“Mundësia është vetëm duhet vullnet dhe dëshmi se dashurinë e krenarinë  për ushtrinë e kemi me zemër e jo sa për t’u shituar atdhetar. Le të tërhiqet Projektligji për pagat, i cili edhe ashtu është kritikuar shumë, jo vetëm nga SBASHK-u, por edhe nga sindikata të tjera me paralajmërimet se po nuk u korrigjua do të ketë veprime sindikale duke mos përjashtuar greva në kohë të pacaktuar. Është thënë  nga përgjegjësit shtetëror   se për impelemtimin  e këtij Ligji duhen ndarë , krahas buxhetit të parashikuar për paga, edhe dhjetëra milionë euro. Këta dhjetëra milionë euro shtesë që duhen për  Ligjin e pagave  le të dedikohen për Ushtrinë e Kosovës për të blerë një pjesë të mjeteve të domosdoshme. Kështu djelmoshat e vashat në uniforma të ushtrisë sonë do të ndjeheshin krenar me këtë përkrahje e po ashtu edhe miqtë do të vlerësonin shumë ketë gjest dhe do të thoshin se ja populli i Kosovës  nuk po pret vetëm nga të tjerët, po edhe vetë e brenda mundësive po ndihmon  ushtrinë e shtetit të tyre”, bëhet e ditur në komunikatën e SBASHK-ut.

SBASHK-u kërkon që për një vit mos të ketë ngritje pagash që nga presidenti e deri te njeriu i fundit që merr pagë nga buxheti i Kosovës, në shërbim e në përkrahje konkrete të Ushtrisë së Kosovës.

“Projektligji i pagave i kthyer në kabinetin e ministrit Yagcilar në pjesën e parë të vitit 2019  do të korrigjohej duke dëgjuar zërin e arsyes së palëve të interesuara do të behej Ligj që vërtetë do të bënte nivelizim  pagash e jo siç është ky versioni aktual  që për dikë  është  nënë e për dikë njerkë”, bëhet e ditur më tutje deklarata e SBASHK-ut.

Kuvendi i Kosovës më 14 dhjetor ka miratuar transformimin e Forcës së Sigurisë në Ushtri të Kosovës. Janë miratuar tri ligjet për FSK-në: Ligji për Ministinë e Mbrojtes, Ligji për FSK-në dhe ligji për Shërbimin në Forcës së Sigurisë së Kosovës./21Media

Back to top button