SBASHK-u nuk zmbrapset, nesër dita e 12-të e grevës

Greva nuk do të ndalet!

Me fillimin e grevës në ditën e 11-të, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj vizitoi grevistët në komunën e Gjilanit, gjegjësisht në SHFMU ,, Ibrahim Uruqi” ne Bresalc, në çerdhen “Ardhmëria 2”, në SHFMU “Selami Hallaqi” dhe Gjimnazin “Zenel Hajdini”.

Sipas njoftimit për media, delegacioni i SBASHK-ut me grevistët bashkëbiseduan shtruar dhe shprehën brengosjen se edhe në  ditën 11 të grevës,  institucionet e Kosovës nuk po krijojnë gatishmëri për t’i plotësuar kërkesat e punëtorëve të arsimit, ishte kërkesë e të gjithë grevistëve që në asnjë formë mos të ndërpritet greva edhe nëse fillohet me veprime tjera sindikale, së paku pa i plotësuar kërkesat tashmë të njohura ose tërheqja e Ligjit.

Vlen të theksohet se prezente ishte edhe kryetarja e prindërve e komunës së Gjilanit, e cila tha se në emër të prindërve që përkrahin kërkesat e mësimdhënësve, duke apeluar që institucionet të angazhohen në realizimin e tyre.

“Sipas informatave të marra nga Këshillat Grevistë Komunal, rezulton se i tërë sistemi arsimor nga çerdhet deri te universitetet ishin në grevë. Këshilli Qendror Grevist ,e as udhëheqësia e SBASHK-ut, edhe gjatë ditës së sotme nuk kanë pasur asnjë takim me asnjë institucion, e as udhëheqës të institucioneve në nivel lokal, e as në nivel qendror. Edhe njëherë, ju bëjmë apel institucioneve qendrore, në veçanti ministrit Bytyqi, që të jep kontributin e tij në Qeverinë e Kosovës, për realizimin e kërkesave ose largimin e Ligjit të pagave, përndryshe grevës nuk i shihet fundi”, bëhet e ditur në komunikatën e SBASHK-ut.

Nesër, pikërisht në ditën e 12-të të grevës, kryetari i SBASHK-ut  Rrahman Jasharaj, së bashku me Këshillin Qendror Grevist, do t’i vizitojë grevistët në komunën e Ferizajt, pikërisht në orë 9:15 ne çerdhen “Ardhmëria Jonë” në orën 9:45 SH.F “Gjon Serreqi” dhe në ora 10:20 SH.M ,, Dr Shaban Hashani”.

Që nga 14 janari të gjitha nivelet e arsimit në Kosovë janë në grevë.

Back to top button