Lluka: Ristrukturimi i Telekomit të Kosovës duhet të ndodhë
“Kjo fazë do të marrë mbështetjen e Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim”
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka së bashku me kryetarin e Sindikatës së Telekomit të Kosovës, Lami Balaj ka mbajtur konferencë për media, ku është diskutuar për zhvillimet e fundit në Telekom.
I pari i MZHE-së ka thënë se ristrukturimi që do të ndodhë në Telekom është i domosdoshëm dhe se kërkesat e sindikatës do të merren parasysh.
“Sot kishim një takim të përbashkët me Sindikatën e Telekomit ku diskutuam për brengat që kemi dhe planin për vitin 2019 dhe fazat e ristrukturimit, ku jemi futur në katër faza”, ka thënë ai.
Gjithashtu, ministri Lluka ka shtuar se ristrukturimi i Telekomit do të marrë mbështetjen e Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim.
“Kjo fazë do të marrë mbështetjen e Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim në mënyrë që punëtorët të ndihen komod për procedurat që do të ndiqen. Ideja është që sindikata të jetë e përfaqësuar në vendimmarrje”, ka thënë Lluka.
Ndërsa, Kryetari i Sindikatës së Telekomit të Kosovës, Lami Balaj ka thënë se ristrukturimi i Telekomit është më rëndësi dhe se ky ristrukturim do të përfshijë edhe sindikatën.
“Sot diskutuam për gjendjen në Telekom, por më e rëndësishmja është ristrukturimi në Telekom. Ne si sindikatë e kemi përkrah ristrukturimin sepse Telekomi ka nevojë. Ky proces do të përfshijë edhe sindikatën dhe ne do të jemi të zëshëm aty”, ka shtuar Lami Balaj.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?