SBASHK-u proteston më 4 dhjetor

Më 4 dhjetor, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës do të organizojë një protestë për të shprehur pakënaqësinë për mos miratimin e ligjit të pagave. Nëse edhe pas kësaj proteste nuk do të ketë reflektim nga ana e Qeverisë së Kosovës atëherë do të ketë përshkallëzim të veprimeve sindikale nga ana e SBASHK-ut.
Kryetari Rrahman Jashari, ka thënë se po mungon vullneti nga ana e Qeverisë për t’u takuar me sindikatën, ku përmendi kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
“SBASHK-u veprimin e parë sindikal do të bëjë të shtunën e 4 dhjetorit me pjesëmarrje të kufizuar. 4 dhjetori do të jetë alarmi i fundit për Qeverinë. Opsioni i parë pas 4 dhjetorit është ta përgatisim një protestë, që nënkupton në atë protestë do të jenë të gjithë. Pas kësaj do të fillojmë me grevën e përshkallëzuar”, ka thënë ai.
Jashari ka theksuar se orët e humbura në grevë nuk do të kompensohen.
“Le ta di Qeveria që orët e humbura në grevë nuk do të zëvendësohen. Uroj që Qeveria e Kosovës të reflektojë”, ka theksuar Jashari.

Back to top button