​Scholz: Qytetarët formuan urë solidariteti mes Gjermanisë dhe Turqisë

Kancelari Scholz tha se edhe qytetarët në Gjermani janë mbledhur dhe kanë organizuar ndihma, donacione dhe kanë mbledhur veshje për të prekurit nga tërmeti në Turqi dhe Siri.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz tha se qytetarët që dërguan ndihma nga Gjermania për të prekurit nga tërmeti me epiqendër në Kahramanmaraş kanë formuar urë solidariteti mes vendeve që janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën në aspektin humanitar, transmeton Anadolu.
Në një video-mesazh të publikuar, Scholz tha se e ka zemrën të thyer pas tërmeteve që ndodhën dhe se janë të trishtuar për shkak se në fatkeqësi kanë humbur jetën shumë njerëz. Ai tha se mbajnë zi bashkë me ata që kanë humbur të afërmit dhe shokët e tyre dhe u uroi të plagosurve shërim të shpejtë.
Scholz theksoi se mendimet e tyre janë me të prekurit nga tërmeti. “Nuk mund ta kthejmë prapa këtë fatkeqësi. Por, mund të ndihmojmë në situatë emergjente dhe Gjermania po ndihmon. Ditën që ndodhi tërmeti, ekipet e kërkimit dhe shëndetësisë u nisën drejtë rajonit të fatkeqësisë nga çdo anë e vendit tonë. Organizatat tona të ndihmës sigurojnë ngrohës, gjeneratorë dhe ilaçe. U urojmë atyre fuqi në punimet që kanë rëndësi jetike”, tha ai.
“Ne jemi miq të vërtetë”
Kancelari Scholz tha se edhe qytetarët në Gjermani janë mbledhur dhe kanë organizuar ndihma, donacione dhe kanë mbledhur veshje për të prekurit nga tërmeti në Turqi dhe Siri pas tërmeteve me qendër në Kahramanmaraş.
“Ju falenderoj të gjithëve për këtë ndihmë në këtë situatë emergjente. Brenda një kohe të shkurtër ju formuat urën e ndjenjës, urën e solidaritetit mes vendeve tona të cilat janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Si rezultat 3 milionë qytetarë në Gjermani vijnë nga Turqia. Edhe nga rajonet Hatay dhe Gaziantep që janë dëmtuar shumë. Po ashtu dhe shumë persona të tjerë kanë rrënjët familjare në Siri”, deklaroi Scholz.
Më tej kancelari gjerman Scholz tha se një shprehje turke thotë “Miku i mirë duket në ditë të vështira”, ndërsa edhe në gjermanisht ka një të ngjashme që është se “Njeriu mikun e mirë e njeh në ditë të vështira”. “Dhe ne jemi miq të vërtetë. Si mik ndajmë dhimbjen tuaj dhe si mik ne nuk do t‘ju lëmë vetëm në situata emergjente”, tha Scholz.

Back to top button