Krasniqi: Qeveria nuk ka ide se si ta zhbllokojë ekonominë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në kuadër të Javës së Pavarësisë, ka zhvilluar një sërë aktivitetesh ku ka takuar shumë personalitete dhe të rinj anë e mbanë Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, kreu i PDK-së ka thënë se mbi supet e këtyre qytetarëve ka qëndruar përpjekja e vazhdueshme për liri dhe shtet të pavarur e sovran.
Tutje ai është shprehur se kërkesat e të rinjve janë “të drejta e të duhura”, andaj tha se për ta duhet bërë diçka shumë më shumë sesa reflektimi.
“Shteti ynë nuk mund të abstenojë nga përgjegjësia që ka ndaj tyre. Fatkeqësisht, nën qeverisjen e Albin Kurtit, jo vetëm që po shohim abstenim për adresimin e këtyre nevoja, por nuk po shohim as përpjekje. Krejt përkundrazi. Qytetarët tanë dhe gjeneratat e reja, si ajo e periudhës së pavarësisë, nuk mund të shpresojnë në të ardhme më të mirë, përderisa një Ambasador si Martin Berishaj, që del se është pjesë e skandaleve ndërkombëtare të mafisë energjetike rajonale, jo vetëm që nuk shkarkohet, por merret në mbrojte nga pushteti. Kosova, nuk mund të jetë vend me perspektivë, përderisa pushtetarët strehojnë protagonistë të aferave mafioze”, thotë Krasniqi në këtë postim.
Kreu i PDK-së është shprehur se Kosova nuk mund të jetë vend me perspektivë, përderisa inflacioni iu bie si barrë e papërballueshme familjeve kosovare, ndërsa thotë se qeveria nuk ka ide se si ta zhbllokojë ekonominë.
“Nuk mund të ketë të ardhme të sigurt e të qëndrueshme për një vend si Kosova, që ka potencial për të eksportuar energji, e nga keqqeverisja përfundon në terr, ndërsa qytetarët paguajnë faturat më të shtrenjta në rajon. Nuk mund të ketë të ardhme të qëndrueshme e as demokratike, në një vend ku pushteti paragjykon drejtësinë dhe sulmon mediat e lira. Kjo mungesë perspektive, si pasojë e një pushteti të paaftë, sot është duke e zbrazur Kosovën”, u shpreh ai.
Sipas tij, kjo nuk është e ardhmja që qytetarët e Kosovës duan./21 Media

Back to top button