“Se votojmë Haxhiun, është simbol i dështimit të kësaj Qeverie”, Krasniqi: LVV të gjejë kandidat tjetër

 

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pas seancës ka thënë se propozimi i LVV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk do të marrë vota nga PDK-ja.

Madje ai e ka quajtur Haxhiun si simbol të dështimit të Qeverisë.

Sipas Krasniqit, Vetëvendosje ka të drejtë ta propozojë kryetarin e Kuvendit, por jo edhe ta imponojë votimin.

“Sepse nuk mundet me çdo kusht me vendosë, por këdo që e propozon sot, përsëri po e shihni që këta po e vazhdojnë bllokadën e krijimit të institucioneve. Në vend se të kërkojnë një kandidat apo kandidate tjetër, kandidatja e cila ka dështuar disa herë radhazi – që do të dështonte edhe sot, e besoj edhe pasnesër dhe kurdo që rrjedhëm – nuk mundet me qenë më e rëndësishme sesa krijimi i institucioneve, konsolidimi dhe materializimi i verdiktit dhe votës qytetare të datës 9 shkurt”, tha Krasniqi.

“Andaj, rrugëdalja është tashmë e qartë: Lëvizja Vetëvendosje duhet ta gjejë një kandidat apo kandidate tjetër, sepse kandidatja që ka dështuar, do të dështojë përsëri për të marrë shumicën. Dhe unë besoj që nuk duhet ta lëmë peng Kuvendin e Kosovës, por edhe Qeverinë e ardhshme, për shkak të tekeve – qofshin ato edhe probleme të brendshme apo çkado qoftë. Kandidatja Haxhiu nuk do të ketë mbështetjen tonë në asnjë rrethanë dhe në asnjë moment. Ajo është simbol i dështimit të kësaj Qeverie.

Në katërvjeçarin e kaluar, krejt mandatin e ka pasë të përcjellur me skandale të ndryshme: prej zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit, e deri te ulja e buxhetit për mbrojtjen e çlirimtarëve në Hagë. Ka shumë e shumë dështime, në mesin e të cilave po ia rikujtoj edhe këtë ligjin banal për Qeverinë, i cili ka lidhur nyje pikërisht Vetëvendosjen. Kështu që, rruga është e qartë – duhet me ndryshu kandidaten, pastaj ndoshta mund t’i ndryshojmë gjërat.”, tha ai/21Media

Back to top button