Një muaj paraburgim për logopedin që keqtrajtoi vajzën me autizëm

(Lajm i përditësuar)
Logopedit Iljasa Fazliu nga Gjilani iu është caktuar masa e paraburgimit për 30-ditë. Fazliu dyshohet se keqtrajtoi një fëmijë me autizëm.
Gjykata ka vendosur t’i dënojë më nga 30 ditë paraburgim edhe familjarët e vogëlushes që e sulmuan mjekun.
“Ekziston dyshimi bazuar se i pandehuri I. F., me datë 26 nëntor 2022, në intervalin kohor prej orës 10.00-11.00 minuta, në ordinancën private, në cilësinë e mjekut Defektolog –Logoped, haptas ka përdorur metodë të pa përshtatshme për trajtim dhe nuk ka zbatuar rregullat e profesionit të logopedit, ashtu që gjatë seancës për trajtim të fëmijut të moshës 3 vjeçare, me gjendje të autizmit, ndaj të njëjtës ka përdorur fjalë të ndryshme ofenduese dhe degraduese”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Me këto veprime i pandehuri I. F. dyshohet se ka kryer veprën penale trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor, vepër e sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Ndërsa të pandehurit I. Sh. dhe R. V. më datë 26 nëntor 2022, rreth orës 12.52 minuta, në lokalin që ndodhet në rrugën “Mulla Idrizi” në Gjilan, në bashkëkryerje dhe me përdorimin e dhunës, për shkak të trajtimit të pandërgjegjshëm të fëmijës me autizëm, me dashje i kanë shkaktuar lëndime trupore të pandehurit tani të dëmtuarit I. F., ashtu që fillimisht i pandehuri I. Sh., i revoltuar nga sjellja e mjekut ndaj vajzës hynë dhe i drejtohet të dëmtuarit duke e fyer me fjalë të ndryshme ofenduese, e më pas e sulmon duke e goditur me grusht në fytyrë dhe në atë moment ndërhyn edhe i pandehuri R. V., duke e kapur të dëmtuarin për krahu duke e mbajtur nën kontroll, e më pas duke e tërhequr zvarrë për të nxjerrë jashtë lokalit, ku gjatë kësaj tërheqje i dëmtuari rrëzohet për toke dhe të dy të pandehurit e godasin me grushte dhe shkelma në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit.
Sipas Gjykatës, të pandehurit me këto veprime dyshohet të kenë kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor, vepër e sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, ngase masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj të këtij vendimi mbi caktimin e paraburgimit në Gjykatën e Apelit.
Seanca për logopedin që dyshohet se keqtrajtoi 3-vjeçaren, u mbajt në spital
Seanca për logopedin Iljasa Fazliu, nga Gjilani, i cili dyshohet se keqtrajtoi 3-vjeçaren me autizëm, është mbajtur në spitalin e Gjilanit, pasi mjeku po trajtohet atje.
Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatës Themelore të Gjilanit, Sabit Shkodra.
“Seanca dëgjimore ndaj tre të pandehurve është mbajtur, pritet që së shpejti gjyqtari i çështjes të nxjerr vendim për masën e sigurisë. Seanca ndaj doktorit është mbajt në spital për shkak të gjendjes shëndetore të tij”, ka thënë ai.
Mjeku i dyshuar ishte rrahur nga babai dhe daja i vogëlushes./21Media

Back to top button