Seanca për rastin e të miturës në orën 12:00

Kjo seancë e jashtëzakonshme mbahet me kërkesë të opozitës

Është mbledhur Kryesia e Kuvendit për të shqyrtuar kërkesën e 40 deputetëve të opozitës për seancë të jashtëzakonshme, në lidhje me rastin e abuzimit seksual me të miturën nga komuna e Drenasit.

Partitë opozitare (VV, LDK dhe Alternativa), dje kanë njoftuar se kanë dorëzuar një kërkesë për një seancë të jashtëzakonshme lidhur me rastin e të miturës në Drenas.

Ndërkohë sot, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka deklaruar se kjo seancë e thirrur nga opozita do të mbahet në orën 12:00. Haxhiu ka thënë se kërkohet përgjegjësi institucionale dhe ka ftuar që pjesë e kësaj seance të jenë edhe kryeministri Ramush Haradinaj, ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, ministri i Shëndetësisë, Uran ismaili, ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi.

Ndërsa, kreu i Kuvendit, Kadri Veseli lidhur me këtë rast ka thënë se është abuzim i pozitës zyrtare dhe se njerëzit e tillë duhet të marrin dënimin e merituar.

Të martën në media u raportua se e mitura nga Drenasi ishte keqpërdorur seksualisht nga profesori SH. XH dhe nga hetuesi policor V. V, ky i fundit e kishte lënë shtatzënë të miturën e pastaj e kishte detyruar që të abortojë.

Pas raportimit të ngjarjes ishte arrestuar zyrtari policior me inicialet V.V, ku dje i njëjti ka dalë para gjykatës. Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për policin e dyshuar. Gjithashtu dje janë arrestuar edhe mësimdhënësi dhe gjinekologu, që dyshohet se janë të përfshirë në këtë rast.

Me moton “PRO Mësimit, JO Përdhunimit” do të mbahet sot protesta e organizuar nga Shoqëria Civile e Drenasit. Protesta do të mbahet sot nga ora 12:00 duke filluar nga Gjimnazi “Gjergj Kastriot Skëndërbeu”, e deri te Stacioni i Policisë në Drenas./21Media

Back to top button