Sejdiu: Me LDK-në kemi biseduar për koalicion, por jo zyrtarisht

Sipas nënkryetarit, AKR nuk ka vija të kuqe për asnjë parti

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka filluar bisedimet për zgjedhje të parakohshme, me Aleancën Kosova e Re (AKR), ndonëse zyrtarët e kësaj partie e kanë mohuar një gjë të tillë.

Përfaqësues të LDK-së dhe AKR-së, janë takuar në mënyrë që të diskutojnë për mundësinë e një koalicioni parazgjedhor dhe në zgjedhje të shkojnë me listë të përbashkët.
Agim Veliu nënkryetar i LDK-së e ka mohuar të kenë diskutuar me partinë e Behgjet Pacollit për mundësinë e koalicionit parazgjedhor. Ai ka thënë shkurt se LDK momentalisht është në koalicion me PDK-në dhe nuk ka nevojë për koalicione tjera.

Por ndryshe thotë nënkryetari i AKR-së, Korab Sejdiu. Ai tha se kanë biseduar me zyrtarë të LDK-së por jo në takime të nivelit zyrtar.
“Jo jo nuk kemi bërë takime të nivelit zyrtar ose formal, çdo gjë është bërë ose në takime rasti ose takime për diskutime të bashkëpunimit potencial, por jo diçka formalisht”, ka thënë Sejdiu.

Aleanca Kosova e Re, sipas tij është e hapur ndaj bisedave me të gjitha partitë ose subjektet politike në Kosovë për të bërë koalicion, por, me kush që programi i AKR-së të zbatohet plotësiht.

Sipas nënkryetarit, AKR nuk ka vija të kuqe për asnjë parti, por sipas tij jo me ata që kanë kontribuar në shkatërrimin e vendit.

“Me njerëzit të cilët janë me duar të papastra ne nuk bëjmë koalicion, nuk bëjmë koalicion me njerëzit të cilët kanë kontribuar në shkatërrimin e vendit tonë dhe në prurjen e vendit tonë në gjendjen të cilët gjendet aktualisht, ku po e shihni edhe vetë që çdo vendim që merret për interes personal dhe jo për interes të shtetit dhe interes të qytetarëve të këtij vendi”, tha Sejdiu.

AKR-ja në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014 nuk ka mundur të hyjë në Parlament pasi nuk ka kaluar pragun zgjedhor.

Back to top button