Sejdiu për Rugovën: Kemi pas nderin ta njohim

Sot u bënë 14-vjet nga vdekja e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova

Fatmir Sejdiu, ish-President i Kosovës, në emisionin “Click” të RTV21, ka thënë se ka pas nderin dhe privilegjin që të punojë me presidentin historik, Ibrahim Rugova.

“Bëhet fjalë për një figurë të jashtëzakonshme që kemi pas nderin ta njohim dhe privilegjin që të punojmë me të në rrethanat jashtëzakonisht të vështira që i ka përjetuar Kosova dhe populli i saj. Një figurë që erdhi në momentin më kyç të udhëkryqit në të cilin gjendeshim, që me urtinë, guximin, mençurinë e tij të përgjithshme me qasjet që kishte, ata e solli koha dhe e bëri kohën e vet. Presidenti Rugova vërtetë është një personalitet i cili mund të shërbejë si shembull unikal në gjithë fazat e zhvillimit edhe të kësaj periudhe kur është mungesa e tij fizike duke pasur parasysh trashëgimin e tij si vepër e bërë posaçërisht në pjesën e idesë dhe të shtetndërtimit në rrethana jashtëzakonisht të vështira që kemi jetuar dhe e konsiderojmë gjithmonë gurë-themeltar i pavarësisë së Kosovës, por poashtu edhe si një njeri që ka pas vizion përtej të përditshmes, përtej asaj që mund të jetë preokupim i njerëzve apo edhe i gjeneratave politike sepse ka bërë dy-tre nga hapat kolosal që i janë nevojit Kosovës dhe të cilat Kosova duhet t’i mbajë”, ka thënë Sejdiu.

Sot u bënë 14-vjet nga vdekja e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.  Me këtë rast Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë homazhe tek varri i tij. Homazhe tek varri i ish presidenti të Kosovës, Ibrahim Rugova bëri edhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Qemal Minxhozi e qytetarë të shumtë. LDK gjithashtu mbajti akademi përkujtimore në nderim të jetës së presidentit Rugova. U tha se presidenti Rugova shënoi shekullin e shqiptarëve.

Presidenti i parë i Kosovës, Ibrahim Rugova, më 23 dhjetor të vitit 1989 u zgjodh kryetar i LDK-së, parti kjo e para politike në Kosovë. Ishte vetë presidenti Rugova që thirri një konferencë për medie dhe njoftoi se vuan nga kanceri në mushkëri, pasi që pak kohë më herët ishte tërhequr nga aktivitetet e përditshme.

Presidenti Rugova u nda nga jeta më 21 janar të vitit 2006./21Media

Back to top button