Sejdiu: S’ishte faji vetëm i Giresses, duhet revolucion te Kosova

Federata e Futbollit të Kosovës mori vendim që ta shkarkojë trajnerin Allain Giresse nga posti i trajnerit të Kombëtares së Kosovës, vendim ky që erdhi pas rezultateve negative në kualifikimet për në Kampionatin Evropian të futbollit që zhvillohet vitin e ardhshëm.
Pakënaqësia me punën e trajneri francez arriti kulmin pas humbjes ndaj Bjellorusisë me rezultat 2-1 të hënën në Budapest, disfatë kjo që minimizoi gjasat që “Dardanët” të kualifikohen tutje nga grupi I, pasi kanë vetëm tri pikë pas katër ndeshjeve të zhvilluara.
Trajneir kosovar Gani Sejdiu vlerëson se vendimi për shkarkimin e Giresses ishte i duhuri nga ana e FFK-së, derisa shton se ai nuk ishte trajneri me profilin që i nevojitej Kosovës dhe se nuk ka pasur autoritetin e duhur.
“Realisht ka qenë momenti i duhur sepse prej takimit të mbrëmshëm nuk ka mbetur hapësirë për Giressen të jetë pjesë e seleksionit tonë. Kështu që mendoj se është veprim i duhur nga të dy palët…Mendoj që nuk ka qenë profili i duhur për kombëtaren, pa dashur të hyjë në detaje, megjithatë, si profil u pa që nuk është për kombëtaren tonë. Arsyeja është që mendoj s nuk ka arritur që përveç bagazhit që nuk e ka të mjaftueshëm për të qenë selektor në një kombëtare që në radhët e saj ka lojtarë që luajnë nëpër ligat më të forta evropiane…mendoj që nuk e ka pasur autoritetin e duhur”, tha Sejdiu.
Por, përtej Giresses, Sejdiu duke folur për KosovaPress thotë se brenda Kombëtares së Kosovës nevojitet të bëhet një minirevolucion edhe sa i përket stafit teknik dhe lojtarëve.
“Nuk duhet t’ia adresojmë komplet dështimin vetëm selektorit, mendoj që këtu kemi edhe probleme të tjera, probleme të cilat tani federata definitivisht duhet të ulet dhe jo me nxitim sepse në këtë cikël mendoj që më nuk kemi gjasa dhe duhet ta shfrytëzojmë këtë vakum që na ka mbetur dhe ta analizojmë mirë situatën. Mendimi im është që edhe brenda strukturës se seleksioni duhet bërë ndryshime sepse janë të njëjtin njerëz, e njëjta situatë, e njëjta qasje, të njëjta rezultate dhe mendoj që duhet një minirevolucion të bëhet edhe në këtë aspekt”, theksoi Sejdiu.
Trajneri i ri, sipas Sejdiut duhet të zgjidhet me shumë kujdes. Ai thotë se ka trajner vendor që mund ta drejtojnë Kosovën, por që në vendin tonë nuk vlerësohen aq sa duhet vlerat e trajnerëve kosovar.
“Sa i përket trajnerit vendor unë mendoj që ne pak vuajmë nga kompleksi i inferioritetit edhe realisht ne nuk kemi besim në prodhimin vendor. Unë iu sigurojë nga ana ime profesionale që kemi kapacitete tona që vërtetë e njohin punën në mënyrë shumë profesionale, por problemi qëndron tek mentaliteti ndoshta edhe i lojtarëve nga jashtë të cilët mendojnë që një trajner kosovar ndoshta nuk mundet ta vë në pah autoritetin e tij konform tyre sepse ata mendojnë që janë në një nivel më të lartë që është shumë gabim”, theksoi Sejdiu.
Ai shtoi se pa marr parasysh rrethanave, nje trajner shqiptarë në krye të Kombëtares së Kosovës do të ishte zgjidhja më e mirë, por që ky vendim do t’i takojë drejtuesve të Federatës së Futbollit të Kosovës.