Sejdiu tregon nëse do ta votoj Qeverinë e PAN-it

Ai ka folur edhe për takimin e kryesisë së AKR-së ditë më parë

Deputeti i zgjedhur i Aleancës Kosova e Re, Korab Sejdiu në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se ai asnjëherë nuk do ta votojë për krijimin e Qeverisë nga ana e koalicionit PDK-AAK-NISMA.

Ai ka thënë se nuk mund të bashkëpunojë me këtë koalicion përderisa votat i ka marrë duke i kundërshtuar ata gjatë fushatës zgjedhore.

“Unë si deputet e ushtroj funksionin i pavarur edhe duke i bindur vetëm parimeve të mia morale e personale dhe përderisa unë kam fituar votë duke kundërshtuar bashkëpunimin me PAN-in, atëherë nuk do të kisha mundësi ta ndryshoj atë mendim në asnjë rrethanë”, ka thënë Sejdiu.

Sipas tij, takimi i fundit që ka pasur kryesia e AKR-së ka qenë vendim unik për të qëndruar besnik parimeve që i kanë pasur qysh në fillim, për të mos bërë koalicion me PAN-in.

“Kemi pasur takim të premten e kaluar edhe në nivel të koalicionit por edhe kryesia e AKR-së dhe ka pasur një qëndrim unik lidhur me qëndrimin besnik ndaj parimeve tona fillestare, që ka qenë [ne rrimë së bashku me koalicionin dhe vendimet i marrim së bashku me koalicionin, me partnerët tanë me LDK-në dhe Alternativë], e deri më tash të gjithë kemi qenë të mendimit se nuk bashkëpunojmë me PAN-in”, ka thënë Sejdiu .

Ai po ashtu ka thënë se nuk ka informacion se ka pasur takime apo tentativa për takime të PAN-it me AKR-në. “Nuk kam informata se ka ndodhur ndonjë takim ndërmjet zyrtarëve të AKR-së dhe atyre të koalicionit PAN. Nuk kam informata që ka pasur tentativa për takime. Në aspekte individuale nuk e di, nëse kanë pasur tentativa me u taku me persona, individë por në nivel të strukturave nuk kam informata që ka pasur”.

Ai tutje tha se është për një bashkëpunim me Vetëvendosjen ndërsa ka kërkuar nga të dyja palët që t’i tejkalojnë, siç thotë ai “egot politike” dhe të merren vesh për bashkëpunim mes vete.
Sipas tij, pas certifikimit të rezultateve nga ana e KQZ-së nuk ka asnjë arsye për vonesa dhe se duhet nisur menjëherë procedurat për konstituimin e Kuvendit.

Back to top button