Sektori publik, procesohen pagat pa shtesën

(Live Update)

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka deklaruar se shtesa prej 50 euro për sektorin publik nuk do të dalë në këtë pagë, por në muajin e ardhshëm. Në mbledhjen e sotme të qeverisë është miratuar pako për përballje me inflacionin, e cila ishte prezantuar para disa javëve, ku Murati ka njoftuar se pagat janë procesuar.
Ai gjatë mbledhjes së qeverisë ka thënë se të gjithë ata që kanë punuar me orar të plotë, u janë procesuar pagat por pa shtesën 50 euro.
Murati ka prezantuar pikat për shtesa çdo muaj deri në fund të vitit për punëtorët e sektorit publik.
“Në kuadër të masës 3,6, të gjithë punonjësit e sektorit publik, të cilët kanë punuar me orar të plotë gjatë muajit dhe që marrin pagën bazë primare deri në një mijë e euro, e që kualifikohen për përfitim mbështeten me shtesën prej 50 euro nga muaji shtator deri në fund të vitit. Por, meqenëse vendimi po merret tani dhe pagat tashmë janë procesuar, shtesa e muajit shtator do të aplikohet bashkë me shtesën e muajit tetor. Pra, në muajin tetor do të marrin shtesat edhe për muajin shtator dhe pastaj për nëntor e dhjetor do të vazhdojë normal”, ka deklaruar Murati.
Pako e miratuar ka vlerën prej 150 milionë euro, ku parasheh subvencionimin e faturave të energjisë, dyfishim të pensioneve, mbështetje për studentët në muajin nëntor e shtesa për sektorin publik.
Procedura të thjeshtuara dhe 5 vjet licencë për mjekët që kthehen në Kosovë

Qeveria miratoi vendimin për lirimin nga obligimi për pajisje me leje pune afatshkurtër profesionistët shëndetësorë të cilët konsiderohen pjesëtarë të diasporës sipas përkufizimit të Ligjit për Shtetësinë e Republikës së Kosovës, të cilët me kërkesë të institucioneve shëndetësore të Republikës së Kosovës, angazhohen përkohësisht në këto institucione.
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka quajtur këtë vendim si fillim të një epoke të re për shëndetësinë e vendit. Ai u shpreh se ky vendim thjeshtëzon procedurat për angazhimin e mjekëve nga mërgata dhe mjekët e huaj.
“Sot shënohet fillimi i një epoke të re me angazhimin e profesionistëve shëndetësorë në Republikën e Kosovës, nga mërgata, nga ata të cilët përfunduan shkollimin në vendin tonë, si dhe profesionistët e huaj nga Evropa, SHBA dhe më gjerë. Ky udhëzim administrative lehtëson jashtëzakonisht shumë procedurat të cilat në të kaluarën kanë qenë barrierë e madhe burokratike dhe thjesht i kanë larguar profesionistët tanë që të vazhdojnë të kërkojnë licencë këtu. Gjithashtu, është thjeshtësuar procedura për ata që vijnë për qëllime humanitare në institucionet shëndetësore publike, sikurse edhe ekspertët që vijnë për trajnim dhe edukim të profesionistëve tanë në cilido prej institucioneve, këto trajnime do të jenë të strukturuara, të planifikuara në bazë të kërkesave klinike”, tha ai.
Latifi në një konferencë për medie, pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, tha se kohëzgjatja e licencës së këtyre profesionistëve shëndetësorë do të jetë 5 vjeçare.
“Për herë të parë në Republikën e Kosovës bashkatdhetarët tanë që angazhohen në institucionet shëndetësore në Kosovë kohëzgjatja e licencës së tyre do të jetë 5 vjeçare, dhe po ashtu hiqet çdo taksë administrative për aplikimin lidhur me barasvlerësimin e specializimeve dhe subspecializimeve si dhe për licencimin e tyre në mënyrë që të ushtrojnë profesionin e tyre këtu tek ne”, theksoi Latifi.
Ai foli edhe për mënyrën e pagesës së këtyre mjekëve që do të mund të angazhohen në sistemin publik shëndetësor në Kosovë.
“Nëse kthehen në Kosovë do të jenë sikurse të gjithë të tjerët sikurse unë, sikurse çdo mjek tjetër, pagat do të ndërrohen por neve na duhet të bisedojmë për një pako ndryshe, pako stimulimi se nëse vjen dikush që është ekspert i madh e vjen me qenë shef i një institucioni atëherë ne duhet të bisedojmë në një formë tjetër, tash për tash është me rëndësi të vijnë, ose si pjesë e stafit tonë, ose disa prej tyre që duan të vijnë në mënyrë vullnetare këtë nuk e kemi pas të mundur deri më tani”, u shpreh Latifi.
Në këtë konferencë për medie i pari i shëndetësisë kosovare u shpreh se janë të interesuar ta kthejnë trurin në Kosovë, e veçanërisht në sektorin publik.
“Ne jemi të interesuar që truri ynë të kthehet në Kosovë. Natyrisht unë jam i interesuar që të gjithë me u kthyer në sistemin publik, por nëse dikush do me u kthyer në sistemin privat, është mirë, sepse ata edhe në sistemin privat kujdesen për qytetarët e Kosovës”, tha Latifi.
Sa i takon buxhetit për revidimin e listës esenciale të barnave dhe materialit shpenzues, Latifi tha se do të ketë rritje sipas kërkesave të Komitetit që do ta bëjë këtë përpilim.
“Buxheti për listën esenciale do të rritet sipas kërkesave të këtij komisioni e grupit punues, edhe tash është rritur shumë më shumë se sa ka qenë përpara. Nuk i kam numrat me vete këtu, absolutisht që ka me u rrit sepse nuk mundet me qenë një buxhet që ka qenë para 13-14 vjetëve. Asnjëherë në historinë tonë të Kosovës qeveria nuk ka dhënë më shumë mjete për revistën e barnave esenciale”, tha ai.
Rikujtojmë që sektori publik shëndetësor në vend po përballet me ikje të mjekëve dhe infermierëve.
Qeveria merr vendim për regjistrim të popullsisë në vitin e ardhshëm
Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për regjistrimin e popullsisë që do të bëhet nga 1 shtatori deri më 17 tetor të vitit të ardhshëm. Ky vendim u mor në mbledhjen e sotme të qeverisë, ku shefi i ekzekutivit, Albin Kurti deklaroi se do të ndihmojë në procesin e integrimeve evropiane.
Para kabinetit qeveritar ai ka propozuar vendimin për regjistrimin e popullsisë që do të zgjas një muaj e gjysmë.
“Regjistrimi do të ndihmojë vendin tonë edhe në procesin e integrimeve evropiane përmes pasqyrimit të saktë të të dhënave demografike e socio-ekonomike. Në lidhje me regjistrimin e popullsisë është e nevojshme të miratojmë datën e fillimit dhe përfundimit të regjistrimit, për planifikim dhe detaje përcjellëse është përgjegjëse ASK, tani në Zyrën e Kryeministrit. Kemi paraparë një afat prej një muaj e gjysmë, prej 1 shtatorit deri më 17 tetor të vitit 2023”, ka njoftuar Kurti.
Regjistrimi i popullsisë ishte planifikuar të bëhet vitin e kaluar, por më pas u shty për dy vjet.
Kabineti qeveritar ka miratuar edhe rregulloren për orarin e punës dhe pushimet e zyrtarëve publikë. Kryeministri Albin Kurti theksoi se kjo projekt-rregullore do të përcaktojë kriteret, procedurat dhe rregullat për përcaktimin e orarit të punës.
“Kjo projekt-rregullore do të përcaktojë do të përcaktojë, kriteret, procedurat dhe rregullat për përcaktimin e orarit të punës të zyrtarëve publik si dhe mënyrën e shfrytëzimit të së drejtës së pushimit. Projekt-rregullorja gjithashtu përcakton edhe llojet e pushimeve dhe afatet për shfrytëzimin e tyre”, ka thënë Kurti.
E, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla shtoi se kjo projekt-rregullore përcakton llojet e pushimeve, afatet për shfrytëzimin e tyre.
“Rregullorja përcakton në mënyrë të qartë llojet e pushimeve, afatet për shfrytëzimin e tyre si dhe synon që të përcaktohen saktë rregullat e veçanta me qëllim të evitimit të problemeve të evidentuara gjatë zbatimit në praktikë të kësaj rregullore. Andaj duke marrë në konsideratë rëndësinë e çështjeve të lartpërmendura që i rregullon kjo projekt-rregullore kërkoj nga ju miratimin”, ka theksuar Sveçla.
Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe Komisionin Qendror për Vlerësimin e Dëmeve të Shkaktuara në të mirat materiale nga ndikimi i fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive të tjera.
Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe raporti vjetor i punës së Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2021. Shefi i ekzekutivit, Albin Kurti ka bërë të ditur se ASK ka realizuar 65 produkte statistikore, 119 raporte statistikore të publikuara, 113 prej tyre janë realizuar në kohë duke përmbushur mbi 90 për qind të programit të hulumtimeve statistikore.
Miratohet Projektligji për rregullimin e çmimeve për produktet bazë

Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin e propozuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë që ka për qëllim rregullimin e masave mbrojtëse të furnizimit me produkte themelore.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tha se ky ligj do të zbatohet ndaj operatorëve ekonomikë që tregtojnë produkte bazë dhe ka për qëllim eliminimin e efekteve të rritjes së paarsyeshme të çmimeve.
Ministrja Hajdari tha se komisioni ndërministror ka analizuar çmimet dhe është vërtetuar se marzha tregtare tek artikujt bazik nuk është e njëjtë.
“Duke marrë parasysh situatën aktuale me rritjen e paarsyeshme të çmimeve siç tregojnë analizat e grupit punues për çmime të produkteve bazë si dhe kërkesave të shumta të qytetarëve lidhur me rritjen e menjëhershme të çmimeve të të gjitha produkteve bazë, Ministria e Tregtisë dhe Qeveria e Kosovës ka hartuar një ligj i cili do të aplikohet në raste të destabilizimit të tregut, në raste të veçanta. Komisioni ndërministror i formuar për këtë çështje ka bërë analizën e çmimeve themelore në treg, në bazë të këtij raporti është vërtetuar se marzha tregtare te artikujt bazik nuk është e njëjtë te të gjithë operatorët ekonomikë si dhe mungon baza ligjore që përcakton marzhën tregtare të çmimeve të artikujve”, theksoi Hajdari.
Qeveria vendos regjim vizash për shtetasit e Rusisë

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës është marrë vendim që të vendoset regjim i vizave për shtetasit e Rusisë.
Me këtë rast, kryeministri Albin Kurti tha se shtetasit rusë me pasaportë të rregullt, zyrtare e diplomatike si dhe ata që kanë leje qëndrimi biometrik të lëshuar nga shtetet e Schengenit do të obligohen të pajisen me vizë të Kosovës për hyrje, tranzit dhe qëndrim në Kosovë.
“Me pezullim të këtyre dy pikave, të gjithë shtetasit e Federatës ruse me pasaportë të rregullt apo diplomatike dhe ata që kanë leje qëndrim biometrik valid të lëshuar nga shtetet e zonës shëngen do të duhet të pajisen me vizë për hyrje në Kosovë”, tha ai.
Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Liza Gashi ka arsyetuar këtë vendim për pezullimin e përkohshëm të zbatimit të pikave 2 dhe 5 të vendimit të Qeverisë të datës 29 nëntor 2013.
“Aprovimi i një vendimi të tillë do tw kontribuonte në ruajtjen e sigurisë kombëtare, rajonale dhe globale, po ashtu në mbrojtjen e interesave shtetërore dhe pjesëmarrjen aktive të Republikës së Kosovës në aleancat ndërkombëtare”, theksoi Gashi.
Qeveria miraton draftin e strategjisë së arsimit

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar edhe draftin e strategjisë së arsimit për periudhën 2022-2026.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci tha se puna në këtë strategji ka zgjatur 9 muaj.
Ajo tha se për këtë strategji e cila ka 5 fusha prioritare kostoja financiare është mbi 320 milionë euro.
“Dokumenti i strategjisë së arsimit është i organizuar në 5 fusha prioritare tematike, edukimi për fëmijën e hershme, arsimi parauniversitar, arsimi dhe aftësimi profesional dhe arsimi i të rriturve dhe arsimi i lartë dhe digjitalizimi i arsimit. Në pajtim me standardet e planifikimit secili nga këto fusha është përcaktuar nga një objektiv strategjik i cili është zbërthyer pastaj në objektiva specifik, është hartuar edhe plani i veprimit dhe është vlerësuar kostoja financiare e zbatimit të kësaj strategjie e cila është në lartësi prej 323 milionë eurove, ndërkaq deri më tani janë siguruar rreth 70% të kësaj shume”, theksoi ajo./21Media

Back to top button