Mosha mesatare e jetëgjatësisë në Kosovë është 76.4
Visare Mujko – Nimani, udhëheqëse e Zyrës së UNFPA-së në Kosovë, thotë se vendi ynë nuk ka ndonjë politikë apo strategji për të moshuarit.
Sipas saj, duhet të punohet më tepër pasi shërbimet shëndetësore nuk janë në nivelin e duhur, qendrat për të moshuarit nuk janë të mjaftueshme e as nuk ofrojnë atë që është nevojë e të moshuarve.
“Te ne ligji është që me 65 vjeç të dilet në pension, dhe fatkeqësisht nuk u jepet mundësi të moshuarve të cilët janë në gjendje të shëndoshë, kanë eksperiencë dhe dëshirojnë të vazhdojnë punën, nuk u mundësohet”, tha Mujko – Nimani, duke shtuar se ky duhet të jetë një aspekt që duhet respektohet në Ligjin e Punës.
Ajo theksoi në Bon Bon të RTV21 se në Kosovë mungon edhe ligji për vullnetarizëm, përkundër që të moshuarit kanë dëshirë e vullnet të kontribuojnë në shoqëri.
Mujko – Nimani bëri të ditur se mosha mesatare e jetëgjatësisë në Kosovë është 76.4
“Në tryezën që sot e kemi organizuar janë prezantuar disa gjëra. Në radhë të parë kemi pasur paraqitjen e statistikave se si qëndron situata në botë dhe në Kosovë karshi popullatës së moshuar. Pikat kyçe në këtë drejtim i kisha përmendur që Kosova në rajon qëndron pak më keq për kah jetëgjatësia. E kemi jetëgjatësinë më të shkurtër në vendet në rajon, krahasim psh. me Shqipërinë e cila e kishte më të madhen. Mosha mesatare e jetëgjatësisë në Kosovë është 76.4, ndërsa në vendet tjera sillet 78 ose 77”, theksoi udhëheqësja e Zyrës së UNFPA-së në Kosovë.
Kujtojmë se Dita Ndërkombëtare e Personave të Moshuar shënohet më 1 tetor./21Media