Sekuestrohen 38 kg kanabis, arrestohen 2 persona

Policia e Pogradecit në kuadër të vijimit të operacionit “Hudënishti” ka sekuestruar 38 kilogramë të tjera lëndë e dyshuar narkotike kanabis, e ndarë në pako, sasi e destinuar për t’u trafikuar jashtë vendit.
Ka shkuar në 4 numri i personave të arrestuar, katër të tjerë janë shpallur në kërkim dhe një është proceduar penalisht si persona të përfshirë në një grup të përfshirë në veprimtarinë e shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Policia bën me dije se ditën e sotme ( 15 shtator) u arrestaun shtetasit Orestis Spirollari, 31 vjeç, banues në Pogradec dhe Kleanth Dokollari, 22 vjeç, banues në fshatin Hudënisht, Pogradec.
Në kuadër të këtij operacioni u shpall në kërkim shtetasi L. Sh., 20 vjeç banues në Hudënisht dhe u procedua penalisht për​ veprën penale “Moskallëzimi i krimit” shtetasja E. H., 31 vjeçe, banuese në Pogradec.
“Gjatë hetimit  4 mujor, si edhe gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Tushemisht dhe Komisariatit të Policisë Pogradec, në liqenin e Pogradecit, u konstatua një mjet lundrues tip skaf, me të cilin autorët e dyshuar, po trafikonin drejt Maqedonisë së Veriut, një sasi prej 38 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale së bashku me skafin, një gomone, një automjet tip “Benz”, si edhe sende të tjera që​ kanë ndihmuar për kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale,’ informon policia.
Policia vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të dyshuar si të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet për hetime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec./oranews

Back to top button