​S’ka kuorum, nuk votohet rezoluta për gjendjen në shëndetësi e sigurimet shëndetësore

(Lajm i përditësuar)


​S’ka kuorum, nuk votohet rezoluta për gjendjen në shëndetësi e sigurimet shëndetësore

Kuvendi i Kosovës nuk ka votuar rezolutën për gjendjen në shëndetësi dhe sigurimet shëndetësore, për shkak të mungesës së kuorumit.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca tha se votimi i kësaj rezolute do të mbahet në një rast tjetër, për shkak të numrit të pamjaftueshëm të deputetëve të pranishëm në sallë.

Më herët, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se opozita nuk është duke e bllokuar punën në shëndetësi, por qeveria është duke dështuar. Ai ka thënë se mos miratimi i Ligjit për Sigurime Shëndetësore është pikë e zezë e kësaj qeverie.

“Sot, Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thirrur një seancë të jashtëzakonshme për një temë të jashtëzakonshme. Megjithatë, tendenca e minimizimit të një politike publike është brengë e çdo qytetari dhe çdo subjekti politik. Kapitujt që i trajton kërkesa jonë ndërlidhen me aspektin e infrastrukturës ligjore të shëndetësisë, sfidat që ndërlidhen me resurset njerëzore dhe me financimin e sektorit të shëndetësisë”, ka thënë Tahiri.


“Mesatarja e jetëgjatësisë në Kosovë 10 vjet më pak se e tjerëve”, Beqaj përplaset me Vitinë

Deputeti i PDK-së Hajdar Beqaj dhe ministri i Shëndetësisë Arben Vitia janë përplasur sot verbalisht në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku po diskutohet gjendja në sektorin shëndetësor.

Beqaj ka deklaruar se gjendja në sektorin e shëndetësisë është e mjerueshme dhe kaotike si pasojë e menaxhimit që po i bëhet nga Ministria e Shëndetësisë.

Ai ka përmendur problemin e listave të pritjes dhe mungesën e shërbimit të rezonancës në spitalin rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, si dhe gjendjen jo të mirë në QKUK.

“Është për të ardhur keq pse në vitin 2024 duhet të ketë radhë në një rezonancë. Kjo për mua është shqetësuese…Ministër, kemi problem edhe te lista e pritjes te stentat, të njëjtat gjëra janë kërkesa të qytetarëve…Kemi pritje në kirurgji kardiovaskulare dhe kirurgji ortopedike… Kushtet fatkeqësisht janë të mjerueshme atje…Ishte një kovë ku binte pika, po flasim për QKUK-në në Prishtinë dhe personeli i shëndetësisë kishte shumë vullnet, por u frikësonte të hynte në operim për shkak të infeksionit që po i bën më shumë dëm pacientët sesa dobi…”, ka thënë Beqaj.

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia në kundër replikë ka theksuar se ka rënie në listat e pritjes edhe pse ato janë të pamundura që të eliminohen në tërësi.

“Po, MRI ka qenë deri në dy vjet lista e pritjes dhe për shkak se tash është një mjet pothuajse dignoifikues standard që s’ka qenë më herët, dhe një pjesë e radiologëve tanë merren me këtë çështje, është rritur për një kohë lista e pritjes, por tash me rezonancat e reja ka rënë nga një deri në dy vjet në tre muaj. Besoj se edhe për qytetarët e Gjakovës, instalimi dhe vendosja në punë e rezonancës magnetike në Prizren do t’iu ndihmojë shumë dhe do ta kemi në qasje që edhe në Gjakovë në të ardhmen të bëhet MRI-ja…Listat e pritjes nuk mund të eliminohen në asnjë vend”, ka thënë Vitia.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar Beqaj, i cili ka përmendur gjendjen jo të mirë në QKUK, teksa ka ironizuar me një deklaratë të mëhershme të kryeministrit Kurti.

“Mesatarja e jetëgjatësisë në vendin tonë është diku dhjetë vjet më pak se e tjerëve. Ne jetojmë dhjetë vjet më pak sesa sikurse të ishim lindur në Zvicër apo Gjermani, apo besa edhe në Shqipërim apo Maqedoni, e kur ishte Albini kryeministër thoshte se kur po shkoj në QKUK po e shoh vetëm një përmirësim, vetëm një qen topall. Tregoj, Albinit, pasi nuk është këtu se unë kam shkuar sivjet shumë në QKUK, dhe u rrit numri i qenve topallë dhe qenve endacakë në QKUK fatkeqësisht”, ka thënë Beqaj.


Selmanaj ironizon me Matoshin e VV-së: Kush ia shkruajti këto që i lexoi, kjo flet me porosi

Mes polemikave e tensioneve është përcjellë seanca e Kuvendit, në të cilën është duke u diskutuar lidhur me funksionalizimin e Fondit për Sigurime Shëndetësore. Deputetët nga opozita kanë kritikuar Qeverinë Kurti për ngecje në Shëndetësi, derisa nga partia në pushtet kanë vazhduar të mohojnë këtë, duke u mburrur me investimet që janë bërë në këtë sektor.

Duke folur për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ironizoi me deklaratën e deputetes së VV-së, Adriana Matoshi. Kjo erdhi, pas deklaratës së kësaj të fundit lidhur me replikën që ishte duke bërë Selmanaj kundrejt ministrit, Vitia, i cili kritikoi partitë opozitare për dështimin që kanë bërë në sektorin e shëndetësisë.

Në fjalën e tij, Selmanaj akuzoi ministrin Vitia për vizitat e tij në spitale private, duke mos shkuar në ato publike.

“Ministër, unë po e kuptoj edhe ashpërsinë e fjalëve tua, sepse ndoshta ke me qenë rasti unik, që prej ministrit, si të jep dorëheqje, përfundon në udhëheqje të një spitali privat, dhe këto që po thuani ju, unë shumë lehtë e kam me vërtetu, dhe me pa kur ka qenë vizita juaj e fundit në njërën prej institucioneve publike si pacient, ti personalisht. Me këtë qasje të këtij dhe të kësaj logjike edhe 50 vjet nuk do të fillojmë me sigurimet shëndetësore ”, tha Selmanaj.

Pas kësaj deklarate, Matoshi duke e replikuar deputetin Selmanaj, ka thënë se gjitha ngecjet në sektorin e shëndetësisë kanë ardhur si pasojë e veprimeve të gabuara nga opozita për vite të tëra.

“Partia nga vjen ka përgjegjësi për gjithë ngecjet që kanë ndodhë në shëndetësi. Çfarë keni ditur të bëni ju LDK dhe PDK, ne e kemi provuar në trupat tanë, të fëmijëve tanë, nuk e di qysh keni kurajo me fol bash kështu. A e dini se mijëra familje kanë vuajtur keqpërdorimet e juaj? Është fakt, nuk keni ndjeshmëri, dhe nuk e di a keni më njerëzillak”, tha Matoshi.

Në anën tjetër, Selmanaj me ironi e duke buzëqeshur, iu drejtua deputetes Matoshi duke thënë se po flet me porosi.

“Është shumë interesant, se zakonisht njeri kur dëshiron ta merr fjalën, e ka të shkruar fjalimin, e replika dhe kundër replika nxiten aty për aty. Kush ja shkruajti këto që i lexoi replikë, d.m.th kjo flet me porosi”, tha Selmanaj.


Kollçaku: Ligj për shëndetësi pritet të procedohet shpejtë në Kuvend

Deputetja nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku ka kritikuar opozitën për mos jetësimin e Ligjit për shëndetësi për vite të tëra.

Në seancën e jashtëzakonshme ku po diskutohet propozim-rezoluta për gjendjen në shëndetësi dhe sigurimet shëndetësore, Kollçaku tha se ky ligj është paraparë në strategjinë legjislative dhe pritet të procedohet shumë shpejtë në Kuvend, derisa këtë debat të sotëm e ka quajtur të përshpejtuar nga ana e opozitës.

“Besoj se kolegu im deputet dhe me profesion, Dreshaj, tashmë je në dijeni se ky ligj është paraparë në strategjinë legjislative dhe pritet të procedohet shumë shpejtë në Kuvend. Ky është një debat pak më i përshpejtuar, por nuk prish punë. Po ashtu, dua të falënderoj kolegun, i cili nuk na la shumë vend të kthehemi në të kaluarën, se në mënyrë shumë taksative i tregoi gjitha pengesat dhe gjithë çfarë nuk është bërë që sot ne nuk e kemi as nga implementimi i ligjit për sigurim shëndetësor, përkundër faktit se u tha që këtu janë formuar shumë grupe punuese për plotësim ndryshim, gjë që asnjëherë s’ka ndodhë dhe ligji aktual është në fuqi”, ka thënë Kollçaku.

Ndërsa, ka shtuar se janë në fazën e kthimit të besimit tek institucionet jashtë vendit, pasi siç tha ajo, ky besimi ka humbur falë mos punës së opozitës, e po ashtu edhe rikthimit të borxhit.

Kollçaku ka thënë se për herë të parë mjekët kanë rritje të pagës për 100 për qind.


Vitia: Nuk kam parë asnjë iniciaitivë nga qeveritë paraprake për të ndryshuar ligjin e sigurimeve shëndetësore

Gjatë seancës së Kuvendit ku po diskutohet për sigurimet shëndetësore, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka replikuar deputetin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj rreth këtij projektligji.

Vitia tha se Dreshaj është shprehur gabim sa i përket themelimit të fondit në bazë të këtij ligji, pas ai është themeluar, por se ky fond nuk ka pasur asnjëherë kapacitet në procesin e sigurimeve shëndetësore.

“Lëvizja Vetëvendosje i ka thënë zëshëm edhe para 10 viteve këto kritika që ju i paraqitët dje më vjen mirë që edhe pas vitesh edhe pse me vonesë kemi pajtueshëmri. Por një gjë e thatë gabim, është gabim sepse është bërë fondi në bazë të këtij ligji sepse ky ligj shprehimisht nuk e ka parë themelimin e fondit. Nuk kam parë asnjë iniciaitivë nga qeveritë paraprake për të ndryshuar ligjin e sigurimeve shëndetësore apo për ta forcuar fondin as nga partia të cilës ju iu keni bashkuar profesor”, tha Vitia, njofton Klankosova.tv.

Më tutje ai tha se nuk do të ketë me eksperimente,as veprime pa analiza e as përpjekje për të futur duart në pagat e qytetarëve pa asnjë parakusht.

“Nuk ka më eksperimente, jo më veprime pa analiza, jo më tallje e qytetarët, jo më shpenzime marramendëse të parave publike pa asnjë rezultat, jo më përpjekje për të futur duart në pagat e qytetarëve pa asnjë parakusht”, u shpreh Vitia.


Dreshaj: Kosova vendi i vetëm në Evropë pa sigurime të mirëfillta shëndetësore

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit po diskutohet për gjendjen në shëndetësi dhe çështjen e sigurimeve shëndetësore me kërkesë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Deputeti Shemsedin Dreshaj nga kjo parti theksoi se Kosova është vendi i vetëm në rajon dhe në Evropë pa sigurime të mirëfillta shëndetësore.

“Kosova është vendi i vetëm në rajon e Evropë pa sigurime të mirëfillta shëndetësore, me sa e di unë vetëm Somalia është në një situatë të ngjashme”, tha ai.


​Kuvendi mban seancë të jashtëzakonshme për gjendjen në shëndetësi

Kuvendi i Kosovës sot mban seancë të jashtëzakonshme prej orës 10:00.

Sipas njoftimit të Kuvendit, në rend të ditës është shqyrtimi i Propozim-rezolutës për gjendjen në shëndetësi dhe sigurimet shëndetësore.

Propozimi për këtë seancë ka ardhur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Back to top button