Sëmundjet e zemrës fenomen shqetësues edhe te të rinjtë në Kosovë

Sëmundjet e zemrës janë në rritje te pacientët e moshës 20-30 vjeç jo shumë kohë më parë, ndërsa sulmet në zemër ishin kryesisht një problem me të cilin përballeshin të moshuarit.

Kardiokirurgu Kushtrim Shala, në një intervistë me shkrim për portalin rtv21.tv në lidhje me këtë çështje ka treguar faktorët që ndikojnë në rritjen e rasteve të sëmundjeve të zemrës tek të rinjët.

Sëmundjet e zemrës po prekin moshat 20 deri në 30 vjeçare.

“Tradicionalisht, sëmundjet e zemrës janë konsideruar si problem i personave të moshuar. Megjithatë, ndryshimet në stilin e jetesë, dieta jo e shëndetshme, rritja e obezitetit dhe stresit në shoqërinë moderne po bëjnë që edhe të rinjtë të jenë gjithnjë e më të prekshëm. Studime të ndryshme tregojnë se sëmundjet kardiovaskulare po prekin individë në moshat 20-30 vjeçare, madje raste janë regjistruar edhe në adoleshencë. Një nga faktorët kryesorë që po kontribuon në rritjen e rasteve të sëmundjeve të zemrës tek të rinjtë është obeziteti”, thekson Shala.

Obeziteti po shënon nivele alarmante tek fëmijët dhe të rinjët

“Për shembull, obeziteti në fëmijë dhe të rinj ka arritur nivele alarmante, duke sjellë probleme si diabeti i tipit 2, hipertensioni dhe kolesteroli i lartë, të cilat janë faktorë që lidhen ngushtë me sëmundjet e zemrës. Për më tepër, stili i jetesës sedentare dhe mungesa e aktivitetit fizik rrit mundësinë e formimit të pllakave arteriale që në moshë të re. Infarkti i miokardit tek të rinjtë, megjithëse më pak i zakonshëm krahasuar me të moshuarit, është në rritje. Statistikat në vendet e perëndimore tregojnë se afërsisht 6-15% e rasteve të infarktit ndodhin në persona nën moshën 45 vjeçare. Në disa raste më ekstreme, infarkti mund të ndodhë edhe në moshë shumë të re nën 30 vjeç. Një nga arsyet kryesore është prania e faktorëve të rrezikut të grumbulluar që në moshë të hershme. Për shembull, pirja e duhanit, hipertensioni, diabeti dhe obeziteti janë të pranishëm tek të rinjtë. Një faktor shtesë është edhe predispozita gjenetike, ku individët që kanë histori familjare të sëmundjeve të zemrës janë më të rrezikuar. Një faktor alarmues është gjithashtu edhe rritja e nivelit të stresit dhe depresionit tek të rinjtë, që mund të ndikojë në rritjen e tensionit të gjakut dhe inflamacionit kronik. Përveç kësaj, konsumimi i lartë i pijeve energjike dhe të gazuara dhe ushqimeve të pasura karbohidrate dhe yndyra të ngopura rrit kolesterolin dhe dëmton enët e gjakut”, tha Shala.

 

Rritja e rasteve me përdorim të nikotinës dhe drogave sipas kardiokirurgut po nxisin sëmundjet kardiovaskulare.

“Ka disa faktorë të përbashkët që kontribuojnë në zhvillimin e sëmundjeve të zemrës, dhe shumica prej tyre lidhen me stilin e jetesës. Duhanpirja: Nikotina dhe karbonmonoksidi dëmtojnë enët e gjakut dhe rritin presionin e gjakut. Dieta jo e shëndetshme: Konsumimi i tepër i ushqimeve të pasura me sheqerna dhe yndyra të ngopura rrit nivelin e kolesterolit. Mungesa e aktivitetit fizik: Aktiviteti i ulët fizik kontribuon në shtimin e peshës dhe rritjen e rrezikut për diabet dhe hipertension. Stresi i lartë: Stresi kronik mund të dëmtojë zemrën dhe të shkaktojë rritje të tensionit. Alkooli dhe substancat e dëmshme: Konsumimi i alkoolit në sasi të larta mund të dëmtojë muskujt e zemrës dhe të shkaktojë aritmi. Hipertensioni dhe diabeti: Këto dy sëmundje dëmtojnë arteriet dhe rrisin rrezikun për sulm në zemër. Një aspekt shqetësues është edhe rritja e rasteve të pirjes së duhanit dhe konsumit të substancave të dëmshme (drogave) që nxisin sëmundjet kardiovaskulare. Kategori e veçantë janë edhe personat që kanë lindur me defekte të lehta të zemrës mund të zhvillojnë probleme serioze nëse nuk ndjekin kontrolle të rregullta.”, tregon ai.

Cilat janë simptomat e infarktit të zemrës?

“Simptomat e infarktit të miokardit mund të ndryshojnë nga një person në tjetrin. Disa nga shenjat kryesore janë: Dhimbje gjoksi me karakter shtrëngues. Dhimbja shtrihet në krahë, qafë, nofull ose shpinë. Vështirësi në frymëmarrje. Lodhje e pazakontë. Djersitje e ftohtë dhe marramendje. Tek gratë dhe të rinjtë, simptomat mund të jenë më pak të dukshme, por këto sinjale nuk duhet të injorohen. Tek pacientët me diabet infarkti i miokardit mund të ndodhë edhe pa dhimbje gjoksi”, bën të ditur Shala për portalin rtv21.tv

A janë sëmundjet e zemrës trashëguese nga familjarët?

“Po, sëmundjet e zemrës shpeshherë kanë një komponent gjenetik të rëndësishëm. Studimet kanë treguar se individët që kanë një histori familjare të sëmundjeve kardiovaskulare (SKV) janë më të rrezikuar për të zhvilluar probleme të ngjashme në të ardhmen. Ky faktor trashëgues mund të shfaqet në disa forma, si hipertensioni, dislipidemia (kolesteroli i lartë), diabeti dhe obeziteti, të cilat të gjitha janë faktorë rreziku për sëmundjet e zemrës. Gjenet mund të ndikojnë në mënyrën se si trupi ynë metabolizon yndyrnat, menaxhon presionin e gjakut ose kontrollon nivelet e glukozës në gjak. Për shembull, një predispozitë gjenetike për hiperkolesterolemi familjare mund të çojë në grumbullimin e pllakave aterosklerotike në arterie që nga një moshë e re. Këto pllaka mund të çojnë në ngushtimin e arterieve, duke rritur rrezikun për infarkt miokardi apo sëmundje të arterieve koronare”, përfundoi kardiokirurgu Shala. /21Media

Back to top button