Policia fton qytetarët të mos kalojnë kah pikat kufitare në Jarinjë, Bërnjak dhe Merdarë

(Lajm i përditësuar)
Policia e Kosovës, sot ka dhënë detaje lidhur me mbylljen për qarkullim të pikës kufutare në Merdarë.
Bllokimi rrugës sipas Policisë, është bërë afërsisht në kilometrin e dytë në territorin e Serbisë, nga pika kufitare “Merdare” e cila për shkak të kësaj bllokade është mbyllur për qarkullim.
Policia ka ftuar qytetarët që tani për tani, të shfrytëzojnë pikat e tjera kufitare për qarkullim.
“Në orët e vona të mbrëmjes së datës 27.12.2022, bazuar në informacionet e siguruara, nga persona të dyshuar është bllokuar rruga në territorin e Serbisë që e lidhë me Republikën e Kosovës. Një bllokim i tillë i kundërligjshëm ka pamundësuar lëvizjen dhe qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave, andaj ftojmë qytetarët dhe bashkatdhetarët tanë që të shfrytëzojnë pikat e tjera kufitare për qarkullim, duke përjashtuar pikat kufitare “Jarinje”, ”Bernjak” dhe “Merdare”, deri në njoftimin e radhës”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Ndryshe, mbrëmë është mbyllur pika kufitare në Merdarë.
08:22 – Serbët barrikadojnë kufijtë me Kosovën
Në natën e 27 dhjetorit është shtuar edhe një barrikadë e re . Kësaj radhe është bllokuar pika kufitare në Merdarë.
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar njoftoi se qarkullimi në pikën kufitarë Merdare është i mbyllur në hyrje dhe dalje, për arsye të barrikadave në territorin e Serbisë, diku rreth 2 kilometra, deri në një informatë tjetër të shfrytëzohet PKK tjera.
Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës u ka bërë thirrje bashkatdhetarëve dhe qytetarëve që janë në lëvizje të shfrytëzojnë pika të tjera kufitare për qarkullim deri në një informim tjetër zyrtar nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës.
Serbët kanë vazhduar me ngritjen e barrikadave në veri, numri i të cilave ka arritur në trembëdhjetë./21Media

Back to top button