Serbia ia refuzon Sveçlës vizitën në Luginë, Kamberi: Qeveria në Beograd nuk ndryshon, ajo mbetet paranojake

(Lajm i përditësuar)

Serbia ia refuzon Sveçlës vizitën në Luginë, Kamberi: Qeveria në Beograd nuk ndryshon, ajo mbetet paranojake

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar pasi që Ministri i brendshëm Xhelal Sveçla, nuk iu lejua vizita në Luginën e Preshvës.

Kamberi ka thënë se vizitat e zyrtarëve të Republikës së Kosovës e Shqipërisë në Luginë të Preshevës nuk janë vetëm të nevojshme, ato janë të domosdoshme, e duhet parë si të zakonshme, siç ndodhë në të gjitha vendet demokratike.

“Refuzimi i lejes për vizitë Preshevës, Bujanocit e Medvegjës të Ministrit të Punëve të Brendshme të RKS, Xhelal Sveçla nga Qeveria e Serbisë nuk është i pari, mirëpo ai sjell edhe njëherë dëshminë se pavarësisht zgjedhjeve, Qeveria në Beograd nuk ndryshon, ajo mbetet paranojake e me urrejtje ndaj çdo gjeje shqiptare!”, ka shkruar Kamberi ndër tjera në Facebook.

Tutje Kamberi e ka dënuar këtë veprim të përsëritur të Serbisë, duke thënë që bashkëpunimi i shqiptarëve të Luginës me Kosovën dhe Shqipërinë nuk duhet të jetë burim frike, dhe se ai nuk do të ndalet.

“Bashkëpunimi ynë me Kosovën e Shqipërinë nuk duhet ta frikësojë askënd, përkundrazi duhet ta mirëpresë çdokush, sepse është gjëja më natyrale e çdo komuniteti me shtetet amë! Bashkëpunimi jonë me Kosovën e Shqipërinë nuk do të ndalet. Beogradi mund të tentojë por do të dështojë.”

 


Serbia ia refuzon vizitën në Luginë, reagon Sveçla: Refuzim pa asnjë arsyetim nga Serbia

Ministri i brendshëm Xhelal Sveçla, ka thënë se autoritetet e Serbisë, ia mohuan vizitën e tij në Luginën e Preshvës, pa asnjë arsye dhe shpjegim.

Sveçla ka shtuar se ky refuzim i vizitës nuk zbehë qëllimet dhe angazhimin tonë për shqiptarët e Luginës.

”Ndër të tjera, nuk do të zbehë as dëshirën dhe qëllimin tim për realizim të vizitës atje, për të ndarë me shqiptarët e Luginës shqetësimet e padrejtësitë me të cilat ata ballafaqohen dhe angazhimet e institucioneve të Republikës sonë për ta. Për çështjen e vizitave të zyrtarëve shtetërorë, ne do të veprojmë mbi parimet e reciprocitetit si vlerë e barazisë mes dy shteteve tona”, ka shkruar ndër tjera Sveçla.

Serbia ia refuzon Sveçlës vizitën në Luginë

Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i është refuzuar vizita në Luginën e Preshevës.

Për portalin rtv21.tv kjo është konfirmuar nga kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzat Lutfiu.

Lutfiu ka thënë se autoritetet serbe nuk ia kanë lejuar vizitën ministrit.

Të enjten ishte paraparë vizita e Sveçlës në Bujanoc, Medvegjë dhe Preshevë./21Media

Back to top button