Serbia propagandë për Aeroportin “Adem Jashari”

Aviacioni Civil i Serbisë po përdor propagandë të vazhdueshme kundër punës së Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Aviacioni Civil i Serbisë po shpërndanë mesazhe të rreme drejt operatorëve ajror, përmes të cilave u thuhet se Aeroporti i Prishtinës është i mbyllur dhe nuk jepen leje për operime të trafikut ajror dhe civil. Mesazhe të tilla janë dërguar edhe gjatë ditës së sotme.

Këtë e ka konfirmuar edhe menaxheri për planifikim të fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”, Driton Hyseni.

Hyseni ka thënë se pas marrjes së këtij informacioni kanë reaguar menjëherë duke e informuar operatorin se aeroporti “Adem Jashari” pret dhe përcjell fluturime pa asnjë problem.
“Autoritetet e Aviacionit civil të Serbisë që të vënë në lajthitje një nga operatorët që planifikon që të operojë fluturim në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, për ditën e nesërme me qëllim që një fluturim i tillë të mos realizohet duke iu rekomanduar apo thënë në mënyrë direkte që aeroporti i Prishtinës është aeroport i mbyllur për trafikun civil dhe nuk mund të realizoni fluturim dhe nuk mund të pajiseni me leje. Ne kemi reaguar sigurisht posa kemi marr një informacion të tillë dhe operatorin ajror e kemi informuar që Aeroporti i Prishtinës operon normalisht, pret dhe përcjell fluturimet komerciale pa asnjë problem që nga paslufta dhe ata nesër mund të realizojnë fluturimin e tyre për çka ata janë shumë mirënjohës ndaj nesh, dhe janë të informuar për të gjitha detajet në kohën e duhur”, ka bërë të ditur Hyseni.

Ai ka deklaruar se propaganda e autoriteteve serbe për punën e Aeroportit të Prishtinës është e vazhdueshme, por që ka kërkuar nga operatorët që të injorojnë çdo informatë që vjen nga autoritetet serbe.

“Janë dokumente që përherë Serbia i ka publikuar që nga paslufta e këndej, me qëllimin e vetëm që operatorëve ajror, kompanive ajrore të cilat dëshirojnë të shfrytëzojnë aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës tu japin informacione jo të sakta duke iu dhënë informacione se aeroporti i Prishtinës është një aeroport i mbyllur për trafikun civil komercial, dhe që nuk mund të marrin leje për të operuar. Ka pasur raste në vazhdimësi me të cilat ne jemi hasur dhe kemi reaguar me shpejtësinë maksimale me qëllim që ata që dëshirojnë të shfrytëzojnë aeroportin ndërkombëtar duke i injoruar të gjitha informatat që vijnë nga autoritetet serbe”, ka thënë ai.

Për këtë lloj propagande nga Aviacioni Civil i Serbisë Hyseni po ashtu ka bërë të ditur se janë të informuara të gjithë operatorët e përditshëm të aeroportit “Adem Jashari”, por në lajthitje sipas tij mund të bien operatorët që dëshirojnë të operojnë për herë të parë ./kp

Back to top button