Sërish anulohet karnavali në Rio de Janeiro
Rio de Janeiro ka anuluar paradat e famshme në rrugë për shkak të rritjes së rasteve me Covid-19, njoftoi të martën kryetari i bashkisë së qytetit, Eduardo Paes gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë.
Ndërsa, disa ngjarje të mëdha të karnavaleve do të vazhdojnë ende, festat e organizuara në rrugë, të njohura si “blocos” do të anulohen për të dytin vit radhazi, shtoi Paes.
“Ne patëm sot një takim me njerëzit e ‘blloqeve’ dhe i informuam se karnavali i rrugës, i cili nuk u zhvillua në 2021, nuk mund të ndodhë (përsëri) këtë vit për shkak të të dhënave epidemiologjike që kemi”, tha Paes.
Karnavali Sapucaí — parada e kryer nga shkollat e sambave të Rios, të cilën njerëzit e shikojnë nga tribunat e stadiumit Marques de Sapucaí Sambadrome, do të vazhdojë të zhvillohet në përputhje me protokollet shëndetësore, shtoi ai, transmeton rtv21.tv
Karnavalet e këtij viti do të zhvillohen nga 25 shkurti deri më 2 mars ndërsa, paradat në rrugë nuk do të zhvillohen, vizitorët që ndjekin Sambodromin do të jenë në gjendje të shikojnë shkollat më të mira të sambas të Rios duke performuar nën tingujt e daulleve e borive.
Marques de Sapucaí Sambadrome ka kapacitet për më shumë se 80,000 njerëz. Autoritetet ende nuk kanë specifikuar nëse do të lejohet të plotësojë kapacitetin gjatë ngjarjes, megjithatë, protokollet shëndetësore do të vendosen së shpejti, thanë ata./21Media