Sërish nuk i jepet “besimi” kuadrove shqiptare

Kush do të drejtojë drejtorinë e MPB-së në Maqedoni?

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev sot për herë të katërt me radhë mblodhi kabinetin e tij qeveritarë që të bisedojnë për reforma dhe zgjedhjet kadrovike.

Edhe pse sot në rend të ditës nuk erdhi emërtimi i drejtorëve të ri të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim dhe të Byrosë për Siguri Publike, TV21 mëson se edhe gjatë kësaj qeverisje, shërbimi sekret do të udhëhiqet nga kuadro të propozuara nga partia maqedonase, kësaj here nga LSDM.

Kryeministri Zaev thotë se Zoran Verushevski është personi qe ka përvojën e duhur për të menaxhuar me DSK-në por megjithatë, ai mendon se është më mirë që të gjenden njerëz të ri, të cilët nuk kanë qenë pjesë e përgjimeve.

“Për mua ka rëndësi që për ndryshimet që duhet të bëhen në DSK, të lë hapësirë përmes zgjidhjeve tjera e jo zotëri Verushevski i cili njëjtë sikur unë, ishte shënjestër i përgjimeve të paligjshme. Besoj se do të gjendet zgjidhja nga brenda që para së gjithash, e cila për mua por edhe për qytetarët e Republikë së Maqedonisë do të jetë garanci e përshtatshme se reformat në DSK do të përfundojnë me sukses dhe ta arrijë ditën kur mund të them se përfundimisht në Maqedoni qytetarët më nuk përgjohen“, tha Zaev.

Për zëvendëskryeministrin nga radhët e BDI-së, Bujar Osmani është pak e rëndësishme se cila parti udhëheq me një institucion.

“Në një qeveri ku ka marrëveshje për partneritet të sinqertë është pak e rëndësishme se cila parti udhëheq me një institucion. Të gjithë duhet të punojnë në drejtim të realizimit të programit të përbashkët qeveritar që del nga programet e partive politike”, tha Osmani.

Profesori universitar Mersel Bilalli thekson se Kushtetuta parasheh përfaqësim adekuat të të gjitha nacionaliteteve nëpër pozita udhëheqëse, sidomos për shqiptarët, por sipas tij, avancimet në detyra, përfshirë edhe organet e sigurisë kanë qenë të dirigjuara në baza partiake.

“Strukturat të cilat i kanë përfaqësuar shqiptarët nuk janë angazhuar në drejtim të angazhimit të kuadrove të aftë dhe inteligjente që të jenë të gatshme për punë të tilla. Më tepër kanë ofruar njerëz mesatarë ose nën-mesatarë dhe të dëgjueshëm të partisë, dhe e ka sjellë në një gjendje që në lëmi të ndryshme është bërë tabu për shqiptarët, edhe pse Kushtetuta obligon që të gjitha bashkësitë etnike, veçanërisht shqiptarët, duhet të jenë të përfaqësuar në mënyrë adekuate”, tha Bilalli.

Ish drejtorët Mitko Çavkov dhe Vlladimir Atanasov, që ishin kuadro të propozuar nga VMRO-DPMNE së fundi ishin në shënjestër të kritikave për dhunën e 27 prillit në Kuvend, dhe për shkak të kësaj ishte kërkuar dorëheqja e Çavkovit. Ndërsa Atanasovki ishte kritikuar edhe për pengesat që i ka bërë PPS-së, për mos lejimin e tyre që të kenë qasje në sistemet e përgjimit dhe dokumentacionit të lidhur me përgjimet joligjore në vend. Qeveria ka zgjedhur Magdalena Nestorovska për sekretare shtetërore të MPB-së., Ndërsa, jozyrtarisht mësohet se drejtor i ri i byrosë për siguri publike do të emërohet Llaze Vellkovski, i propozuar nga radhët e LSDM-së, ndërsa sa i përket Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, do ta udhëheqë Borçe Petrevski./21Media

Back to top button