Sfidat në proces të dialogut

Procesi i dialogut të Brukselit midis Kosovës dhe Serbisë do të karakterizohet me shumë sfida edhe përgjatë vitit 2024 vlerëson analisti politik, Artan Muhaxhiri. Sipas tij, deklarimi i Serbisë se nuk do ta njohë de-facto Kosovën është problem shumë i madh që do të shkaktoj zvarritje në arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve.

‘’Duhet t’i imponohet liderëve të Kosovës dhe të Serbisë njohja sepse popujt e të dyja shteteve do të humbin. Ideja për një marrëveshje finale do të ndihmoj edhe në zhvillimin e të dyja shteteve”, tha Muhaxhiri.

Analisti tjetër, Albinot Maloku, vlerëson se sfidë në proces të dialogut për Kosovën do të jetë themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Serbinë e sheh si palë destruktive që po i shmanget zbatimit të marrëveshjes bazë.

‘’Asociacioni është obligim për Kosovës, mund të ketë shtyrje apo zvarritje, por nëse duam të tregojmë seriozitet duhet të themelohet”, i tha Maloku RTV21.

Marrëveshja me njohjen e ndërsjellë do të jetë zgjidhje më e mirë midis Kosovës dhe Serbisë, mendon njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arbnor Sadiku.

‘’ BE-ja mund t’i vendos Serbisë kusht njohjen e Kosovës me kapitullin e 35 për anëtarësimin e saj në BE”., tha Sadiku për RTV21

Drejtori ekzekutiv në Këshillin Evropian të Investitorëve, Emrush Ujkani, paralajmëron palët në proces të dialogut se nëse nuk zbatohen marrëveshjet e Brukselit rrezikojnë rrugën integruese.

‘’Secili që nuk zbaton marrëveshjet rrezikon rrugën integruese. Në marrëveshje janë të dyja palët që duhet të zbatojnë obligimet e tyre. Jam optimist se edhe Kosova edhe Serbia do të ecin përpara në këtë drejtim”, tha Ujkani.

Njohësit e rrethanave politike i bëjnë thirrje edhe BE-së që të ketë qasje neutrale ndaj palëve në proces të dialogut. Sipas tyre, çdo devijim do të çoj procesin e dialogut drejtë status-quos./21Media

Back to top button