Shahini: Sanksionet ekonomike i kushtuan Kosovës mbi 1 miliard euro

(Lajm i përditësuar)

Shahini: Sanksionet ekonomike i kushtuan Kosovës mbi 1 miliard euro

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, në ”Click” të RTV21 ka kritikuar menaxhimin e Qeverisë së Albin Kurti në lidhje me ndikimin e sanksioneve ekonomike dhe mbështetjen e sektorit privat.

“Sanksionet ekonomike kanë ardhur si rezultat i qeverisë. Sipas llogarive të Aleancës së Bizneseve, për dy vite kemi humbur rreth 1 miliard e gjysmë euro, prej të cilave 880 milionë vetëm për një paketë për rritje që e kanë marrë të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi. Kosova nuk ka marrë asgjë,” tha Shahini.

Ai shtoi se Qeveria jo vetëm që nuk ka ndihmuar sektorin privat, por edhe e ka penguar atë në disa raste.

“Qeveria, përveç që nuk e ka ndihmuar sektorin privat, edhe e pengon. Termi ‘oligark’ në Kosovë është i panevojshëm sepse nuk ka oligarkë në Kosovë,” tha Shahini.


Shahini: Mijëra biznese në Kosovë ndalojnë aktivitetin, por raportohen si aktive

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka folur për situatën reale të bizneseve në vend, duke vënë në dukje se statistikat e Qeverisë shpesh nuk pasqyrojnë gjendjen e vërtetë.

“Nga viti 2000 deri në 2020 janë hapur rreth 8 mijë biznese dhe janë mbyllur rreth 2 mijë. Që nga viti 2020 e këtej, janë hapur rreth 11 mijë biznese, ndërsa janë mbyllur rreth 2 mijë,” tha Shahini.

Ai shtoi se shumë biznese që kanë ndaluar aktivitetin nuk regjistrohen si të mbyllura zyrtarisht për shkak të procedurave të komplikuara në Kosovë. “Realiteti është se rreth 4,500 deri 5,000 biznese e kanë ndalur aktivitetin ose kanë falimentuar, por Qeveria vazhdon t’i konsiderojë si biznese aktive,” u shpreh Shahini.

Shahini theksoi se, edhe pse këto biznese nuk kontribuojnë më për familjet dhe shtetin, Aleanca i konsideron të mbyllura për të pasqyruar gjendjen reale të tregut dhe sfidat e sektorit privat.

“Këto biznese i konsiderojmë të mbyllura kurse Qeveria i raporton si aktive. Procedurat për mbyllje janë të rënda dhe shumë biznese heqin dorë nga mbyllja zyrtare, pushojnë aktivitetin, dhe nuk kontribuojnë as për vete, as për familje, as për shtet,” tha Shahini.


A rrezikohet buka e vendit? Shahini: Bujqit në vështirësi

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka ngritur shqetësimin për ndikimin e rritjes së çmimeve të derivateve të naftës në sektorin e bujqësisë, duke paralajmëruar vështirësi serioze për prodhuesit vendorë.

Sipas tij, bujqitë janë vendosur në një pozitë të pafavorshme, veçanërisht në prag të mbjelljeve pranverore, për shkak të kostove të larta të karburanteve dhe transportit.

“Me këto çmime të derivateve të naftës, bujqit kanë dalë në një pozitë të palakmueshme sa i përket mbjelljeve pranverore dhe shpenzimeve të tjera si transporti,” theksoi Shahini.

Ai bëri thirrje që Qeveria të ndërmarrë hapa konkretë dhe të hartojë një strategji të përbashkët me sektorin privat për të menaxhuar situatën.

“Mendoj që Qeveria duhet të ulet dhe të bëjë një strategji të përbashkët me sektorin privat për të dalë nga kjo situatë,” u shpreh ai.

Shahini gjithashtu kritikoi mungesën e bashkëpunimit institucional, duke theksuar se dialogu ndërmjet sektorit privat dhe Qeverisë ka arritur në nivelin më të ulët.

“Dialogu mes sektorit privat dhe Qeverisë asnjëherë nuk ka qenë më i dobët. Politikat krijohen dhe vendimet merren pa konsultë me përfaqësuesit e bizneseve,” deklaroi Shahini.


Shahini: Qeveria s’po guxon të ndërhyjë në akcizë dhe TVSH për naftën

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka deklaruar se të hyrat nga taksat në sektorin e derivateve nuk janë në rënie, pavarësisht luhatjeve të çmimeve në treg.

“Nuk bie mbledhja e taksave. Buxheti për vitin 2026 është paraparë me çmim rreth 1.20 euro, ndërsa tani çmimi është rreth 1.80 euro. TVSH-ja dhe akciza mbeten të njëjta,” theksoi Shahini.

Ai kritikoi Qeverinë për mungesë guximi për të ndërhyrë në këtë situatë, duke theksuar se ndryshimi i akcizës dhe TVSH-së konsiderohet një hap i madh, por i domosdoshëm.

“Qeveria nuk ka guxim të ndërhyjë në këtë transaksion të ri, sepse prekja e akcizës dhe TVSH-së shihet si diçka revolucionare. Megjithatë, kjo duhet të bëhet,” u shpreh ai.


Shahini: Çmimet e naftës shtyjnë qytetarët drejt Maqedonisë së Veriut

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, në “Click” të RTV21 ka deklaruar se Kosova mbetet ndër vendet me më së paku rezerva të derivateve të naftës, duke u varur kryesisht nga importi i përditshëm.

Sipas tij, bizneset që operojnë në këtë sektor nuk kanë kapacitete të mjaftueshme, qoftë financiare apo logjistike, për të krijuar rezerva afatgjata.

“Bizneset blejnë sot për sot, sepse nuk e dinë se çfarë mund të ndodhë nesër,” theksoi Shahini.

Ai shtoi se, megjithëse shpesh përmendet se Kosova ka çmime të larta të derivateve, realiteti sipas tij është ndryshe në krahasim me rajonin.

“Shqipëria dhe Serbia kanë çmime më të larta, ndërsa Maqedonia është më e lira,” u shpreh ai.

Shahini gjithashtu theksoi një fenomen në rritje, ku qytetarët e Kosovës po udhëtojnë drejt Maqedonisë së Veriut për t’u furnizuar me derivate të naftës për shkak të çmimeve më të favorshme atje./RTV21/21Media

Back to top button