SHBA: Aktualizohet rasti i vrasjes së vëllezërve Bytyçi në Serbi

Komiteti për Punët e Jashtme të Kongresit Amerikan miratoi një rezolutë për vrasjen e vëllezërve Bytyçi nga ana e forcave serbe në vitin 1999 pas perfundimit të borbardimeve të forcave të NATO-së
Komiteti për Punët e Jashtme të Kongresit Amerikan miratoi dje një rezolutë, e cila i referohet vrasjes së tre shtetasve amerikanë – Yll, Agron dhe Mehmet Bytyçi.
Siç njoftoi familja Bytyçi, miratimi i rezolutës nga Komiteti për Punët e Jashtme hapi rrugën për miratimin e këtij dokumenti në të gjithë Kongresin Amerikan.
Duhet kujtuar se në fund të korrikut, kongresmeni republikan nga shteti i Nju Jorkut, Lee Zeldin, i dërgoi një projektrezolutë Komitetit të Punëve të Jashtme që dënonte vrasjen e vëllezërve Bytyçi.
Dokumenti thotë se rasti “duhet të mbetet një faktor në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë”.
Me rastin e miratimit të rezolutës, Ilir Bytyçi deklaroi se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bëri premtime boshe se do të zgjidhte rastin e vrasjes së vëllezërve të tij.
– Kongresi tregon se nuk do ta harrojë përgjegjësinë e Serbisë për të sjellë drejtësi dhe paqe në familjen time – theksoi Ilir Bytyçi.
Fatos Bytyçi, ndër të tjera, beson se Serbia nuk mund të vazhdojë të mbrojë kriminelët e luftës që vranë vëllezërit e tij.
Vëllezërit Bytyçi ishin shtetas amerikanë që luftuan në anën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) gjatë luftës në Kosovë.
Ata u arrestuan pas përfundimit të bombardimeve të NATO-s, në 1999 në kufirin me Kosovën për shkak të kalimit ilegal në Serbi.
Pasi vuajtën një dënim për kundërvajtje 15-ditore, ata u liruan nga burgu, por policia serbe i çoi në bazën e Njësive Speciale Antiterroriste të Ministrisë së Brendshme Serbe në Petrovo Selo, e cila ishte nën komandën e Goran Radosavljeviq-Guri.
Trupat e tyre, me duart e lidhura dhe plagët e plumbave në pjesën e pasme të kokës, u zbuluan në korrik 2001 në një varr masiv në Petrovo Selo, së bashku me trupat e tjerë të shqiptarëve të Kosovës./e.d-21Media

Back to top button