SHBA dhe MB po përballen me kritika globale për paktin

SHBA dhe Britania e Madhe po përballen me kritika ndërkombëtare pas një pakti të ri sigurie të nënshkruar me Australinë.
Marrëveshja e parë si një përpjekje për të kundërshtuar Kinën do të bëjë që SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar t’i japin Australisë teknologjinë për të ndërtuar nëndetëse me energji bërthamore.
Por, ky veprim zemëroi Francën e cila tha se ishte “goditur me thikë në shpinë”, ndërsa Kina akuzoi tre fuqitë se kishin një “mentalitet të Luftës së Ftohtë”. Dhe pakti ka ngritur frikën se mund të provokojë Kinën në një luftë.
Aleanca, e njohur si Aukus, u njoftua nga presidenti amerikan, Joe Biden, kryeministri britanik, Boris Johnson dhe homologu i tij australian, Scott Morrison të mërkurën, transmeton rtv21.tv.
Ndërsa ata nuk e përmendën Kinën, Aukus po shihet gjerësisht si një përpjekje për të kundërshtuar ndikimin e Pekinit në Detin e kontestuar të Kinës Jugore.
Johnson më vonë u tha deputetëve se marrëveshja “nuk kishte për qëllim të ishte kundërshtare” ndaj Kinës.
Por kryeministri u pyet nga paraardhësja e tij, Theresa May, nëse marrëveshja mund të çojë në tërheqjen e Britanisë në luftë me Kinën.
Ajo pyeti kryeministrin për “implikimet” e partneritetit në rast të një pushtimi kinez të Tajvanit.
Johnson u përgjigj se Mbretëria e Bashkuar mbetet e vendosur për të mbrojtur ligjin ndërkombëtar dhe “kjo është këshilla e fortë që do t’u jepnim miqve tanë në të gjithë botën dhe këshilla e fortë që do t’i jepnim qeverisë në Pekin”./21Media

Back to top button