SHBA do të sekuestrojë dhe shesë pronat e oligarkëve rusë, paratë i shkojnë Ukrainës

Shtëpia e Bardhë ka propozuar t’i jepet qeverisë fuqi më të madhe për të kapur dhe shitur asetet e oligarkëve rusë dhe për të transferuar të ardhurat e tyre në Ukrainë.
Propozimi legjislativ, i lëshuar të enjten në mëngjes, do t’i paraqitet Kongresit për shqyrtim.
Masat do ta bënin më të lehtë për SHBA-në sekuestrimin dhe shitjen e pasurive të oligarkëve dhe përdorimin e fondeve “për të korrigjuar dëmet e agresionit rus”.
Legjislacion i ngjashëm u miratua kohët e fundit në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA, transmeton rtv21.tv.
Por planet e reja të Shtëpisë së Bardhë shkojnë më tej duke bërë thirrje për bashkëpunim ndërmjet agjencive midis Departamentit të Thesarit, Departamentit të Drejtësisë, Departamentit të Shtetit dhe Departamentit të Tregtisë.
Paketa do të “krijojë autoritete të reja për konfiskimin e pronave të lidhura me kleptokracinë ruse, do të lejojë qeverinë të përdorë të ardhurat për të mbështetur Ukrainën dhe për të forcuar më tej mjetet përkatëse të zbatimit të ligjit”, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.
Ai vjen së bashku me një kërkesë që Kongresi të miratojë më shumë ndihmë ushtarake, ekonomike dhe humanitare për Ukrainën.
Javën e kaluar, Presidenti amerikan, Joe Biden autorizoi një paketë të dytë ndihme ushtarake prej 800 milionë dollarësh, si dhe 500 milionë dollarë ndihmë të drejtpërdrejtë ekonomike./21Media

Back to top button