SHBA i dërgon ndihma Pakistanit pas vërshimeve vdekjeprurëse
Pakistani ka pranuar ndihmë ndërkombëtare, pas përballjes me vërshimet më të rënda ndonjëherë.
Dy aeroplanë ushtarakë amerikanë – secili i ngarkuar me rreth 35 tonë ndihma – kanë arritur të dielën në provincën Sind, një prej zonave më të prekura nga vërshimet.
Pakistani ka regjistruar rënie ekstreme të shiut në mesin e muajit qershor.
Gati 1.400 njerëz kanë vdekur, mbi 13.000 janë plagosur, dhe miliona të tjerë kanë mbetur pa strehë mbi kokë.
Trashëgimia mijëravjeçare e Pakistanit, në rrezik nga shirat
Ujërat kanë shkatërrruar rrugët dhe infrastrukturën për komunikime.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka vizituar më 10 shtator disa zona të prekura nga vërshimet, dhe ka bërë thirrje për më shumë mbështetje për këtë vend.
“Sot është Pakistani, nesër mund të jetë shteti ku po jetoni. Kjo është krizë globale… kërkon përgjigje globale”, ka thënë Guterres në një konferencë për media.
Pakistani ka vlerësuar se dëmet kapin vlerën e 30 miliardë dollarëve.
Si Qeveria, ashtu edhe Guterres, kanë thënë se ndryshimet klimatike janë fajtore për vërshimet.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar më 7 shtator për rrezikun e përhapjes së sëmundjeve.
Valët e të nxehtit dhe stuhitë janë bërë më intensive dhe më të shpeshta në vitet e fundit, për shkak të ndryshimeve klimatike të nxitura nga njeriu.
Bota tashmë është ngrohur për 1.1 gradë Celsius prej nisjes së epokës industriale, dhe temperaturat do të vazhdojnë të rriten, në rast se qeveritë në botë nuk marrin hapa për të ndalur emetimet e karbonit dhe gazrave tjerë./REL