SHBA-ja ia kërkon Kosovës themelimin e Asociacionit dhe shtyrjen e vendimit për targa

User Rating: Be the first one !

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë bërë thirrje Kosovës e Serbisë t’i ulin tensionet e ta vazhdojnë dialogun, duke iu kërkuar që t’i respektojnë obligimet e marra në dialog.
Në një përgjigje për RTV21, Ambasada e SHBA-së në Kosovë, tha se Kosova duhet ta zgjasë procesin e riregjistrimit të automjeteve dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues ndaj qytetarëve serbë që i posedojnë targat serbe me akronime të qyteteve të Kosovës. Gjithashtu, sipas ShBA-së, Kosova duhet ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Kjo nënkupton zgjatjen e menjëhershme të procesit të ri-regjistrimit të automjeteve dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues ndaj mbajtësve të targave KM derisa të zgjidhet çështja e targave nga palët në kuadër të Dialogut. Kjo gjithashtu nënkupton fillimin e menjëhershëm të negociatave për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (ASM). Lidhur me mesazhin tonë drejtuar lidershipit kosovar dhe atij serb; Është përgjegjësi e të dyja palëve të garantojnë paqen dhe stabilitetin në terren”, thuhet në përgjigjen e Ambasada e SHBA-së në Kosovë.
Tutje në përgjigjen e ambasadës thuhet se SHBA-ja pajtohet me deklarimet e Bashkimit Evropian se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë janë shqetësuese, me ç’rast sipas SHBA-së, këto marrëdhënie e rrezikojnë “procesin e rëndësishëm të arritur në dialog”.
“Shtetet e Bashkuara pajtohen me Bashkimin Evropian se zhvillimet e fundit rreth marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë shqetësuese. Progresi i arritur në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja në rrezik. Tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje e mosmarrëveshjeve aktuale dhe ka potencial për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren”, thuhet tutje në përgjigje.
Sipas ShBA-vë dialogu është e vetmja rrugë në garantimin e stabilitetit.
“Veprimet, të tilla si djegia e makinave ose retorika frikësuese, janë të papranueshme dhe do të nxisin një reagim të duhur nga komuniteti ndërkombëtar. Ne u bëjmë thirrje atyre që të zgjedhin rrugën e dialogut dhe të përmbahen nga veprimet që do të çonin në dhunë dhe konfrontim. Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht përpjekjet e BE-së për të vazhduar për të lehtësuar negociatat. Si Kosova ashtu edhe Serbia duhet të tregojnë se janë të gatshme të kërkojnë zgjidhje në mënyrë konstruktive dhe të respektojnë detyrimet e tyre të bëra në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në përgjigje./21Media

Back to top button