SHBA-ja sërish me kërkesë për shtyrje të afatit për targat

Qeverisë së Kosovës sërish i është kërkuar ta shtyjë zbatimin e vendimit për targat e lëshuara për qarkullim në Kosovë nga autoritetet serbe.
I pari i Qeverisë, Albin Kurti sot ka biseduar përmes telefonit edhe me Këshilltarin Special Amerikan, Derek Chollet.
Vetë Kurti, në njoftimin e tij, nuk ka dhënë detaje mbi diskutimin që e kanë zhvilluar rreth afatit të qeverisë për targat deri më 31 tetor, mirëpo Chollet ka njoftuar se diskutimi ka qenë për rëndësinë e shtyrjes së zbatimit të vendimit për t’i evituar tensionet.
“Fola sot me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për ta diskutuar rëndësinë e shmangies së tensioneve dhe shtyrjes së zbatimit të vendimit për targat e reja, pa konfiskime apo gjoba. Gjithashtu, diskutuam edhe partneritetin dhe objektivat e përbashkëta për ta avancuar integrimin evropian dhe euro-atlantik të Kosovës”, ka njoftuar Chollet.


Thirrjes së Chollet, i është bashkuar edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili ka shpërndarë njoftim dhe ka thënë se është e rëndësishme të shmanget tensionet dhe të shtyhet vendimi për targat.
Ndryshe, deri më 31 tetor, sipas Qeverisë së Kosovës, serbët në veri mund t’i zëvendësojnë targat nga ato ilegale në legale./21Media

Back to top button