SHBA-ja vazhdon thirrjet ndaj Serbisë: Drejtësi për vrasjen e vëllezërve Bytyqi

Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Ambasada e SHBA-së bë Beograd i kanë bërë thirrje Serbisë që të gjenden dhe të dënohen dorasit që morën pjesë në vrasjen e tre vëllezërve Bytyqi, të cilët u vranë përderisa po mbaheshin në paraburgim nga policia serbe, 24 vjet më parë.
Zëdhënësi i DASH-it, Mattheë Miller, tha se SHBA-ja do të vazhdojë të kërkoj drejtësi derisa një gjë e tillë të bëhet.
“24 vjet më parë, shtetasit amerikanë Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqi u ekzekutuan në paraburgimin e policisë serbe. Sërish i bëjmë thirrje Serbisë që të hetojë plotësisht këtë rast dhe të kërkojë llogari nga ata që e kanë kryer dhe kanë mbuluar këtë akt brutal. Ne do të vazhdojmë këtë thirrje deri në vendosjen e drejtësisë”, ka shkruar Miller në Tëitter.
Ambasada e SHBA-së në Beograd shkroi se çdo vit që kalon pa u mbajtur askush përgjegjës për këtë krim brutal lufte, është një fyerje ndaj shtetit të së drejtës, njofton rtv21.tv.
“Kanë kaluar 24 vjet që kur shtetasit amerikanë Ili, Mehmet dhe Agron Bitiq u ekzekutuan në paraburgimin e policisë speciale serbe. Çdo vit që kalon pa u mbajtur askush përgjegjës për këtë krim brutal lufte është një fyerje ndaj shtetit të së drejtës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bëjnë sërish thirrje Serbisë që të hetojë plotësisht këtë rast dhe të nxjerrë para drejtësisë ata që kanë kryer dhe kanë mbuluar këto vrasje. Ne do të vazhdojmë këtë thirrje deri në vendosjen e drejtësisë”, thuhet në reagimin e Ambasadës.
Vëllezërit Bytyqi ishin anëtarë amerikano-kosovarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët u vranë nga policia serbe menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë, teksa ishin në paraburgim në Serbi.
Trupat e tre vëllezërve u zbuluan në korrik 2001 në një varr masiv që përmbante 70 shqiptarë. Trupat u gjetën me duar të lidhura dhe me plagë me armë zjarri në kokë. /21Media