SHBA: Na vjen keq që Lista Serbe do të bojkotojë shkarkimin e kryetarëve në veri

Lista Serbe të dielën ka njoftuar se nuk do të marrin pjesë në votimin e 21 prillit për shkarkimin e kryetarëve aktualë në katër komunat veriore të Kosovës.
Lidhur me këtë, ambasada amerikane në Kosovë në një përgjigje për portalin rtv21.tv ka thënë se është e rëndësishme që qytetarët të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtën e tyre për të larguar zyrtarët e zgjedhur në përputhje me ligjin në Kosovë, nëse ata vendosin ta bëjnë një gjë të tillë.
“Qëndrimi i SHBA-së është i qartë dhe i pandryshuar: Ne mbështesim demokracinë e larmishme, gjithëpërfshirëse, multietnike të Kosovës dhe zgjedhjet e lira, të drejta dhe legjitime që e mbështesin atë. Në përputhje me kërkesat e saj ligjore, Kosova do të mbajë një votim për largimin e kryetarëve më 21 prill në katër komunat në veri të Kosovës. Siç kanë thënë vazhdimisht ambasadori Hovenier dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë amerikane, ne besojmë se është e rëndësishme që qytetarët e Kosovës të kenë mundësinë për të ushtruar të drejtën e tyre për të tërhequr zyrtarët e zgjedhur në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, nëse ata vendosin ta bëjnë këtë”, thuhet në përgjigjen e ambasadës amerikane në Kosovë.
Nga kjo ambasadë kanë thënë se vlerësojnë përpjekjet për të lejuar të gjithë qytetarët të marrin pjesë në votimin e 21 prillit.
Ambasada shton se në këtë proces mundësi pjesëmarrje kanë edhe komuniteti serb.
“Ne vlerësojmë përpjekjet e zyrtarëve zgjedhorë kosovarë për të lejuar të gjithë qytetarët kosovarë të marrin pjesë në këtë proces demokratik. Të gjithë qytetarët e regjistruar në veri të Kosovës kanë mundësi të marrin pjesë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.
“Na vjen keq për deklaratën e Listës Serbe se do tërhiqen nga pjesëmarrja në votimin për shkarkimin e kryetarëve”, thuhet në përgjigje.
Ambasada ka thënë se pret që Qeveria e Kosovës të jetë e ndjeshme ndaj shqetësimeve të qytetarëve në veri gjatë procesit.
Tutje, në përgjigje thuhet se SHBA dhe partnerë tjerë do ta ndjekin këtë proces nga afër.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?