SHBA në OKB: Irani pengoi bisedimet e mëparshme bërthamore

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Këshillin e Sigurimit në Nju Jork Dorothy Shea tha se Irani ka errësuar prej kohësh programin e tij të armëve bërthamore dhe “pengoi përpjekjet tona me mirëbesim” në bisedimet e fundit bërthamore.
Ajo i kërkoi Këshillit të Sigurimit t’i bëjë thirrje Iranit të ndërpresë përpjekjet e tij për të zhdukur Izraelin dhe të ndërpresë përpjekjen e tij për armë bërthamore, raporton KosovaPress.
Ambasadori i Rusisë në OKB Vasily Nebenzya ka dënuar sulmet si “të papërgjegjshme, të rrezikshme dhe provokuese” duke thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë “hapur kutinë e Pandorës” dhe se askush nuk e di se çfarë katastrofash të reja do të sjellë.
“SHBA-të qartë nuk janë të interesuara për diplomacinë,” tha ai në mbledhjen e cila po mbahet me kërkesë të Iranit pas sulmeve amerikane ndaj caqeve bërthamore në Iran, të paratë këto pas fillimit të konfliktit me Izraelin dhjetë ditë më parë.
Përfaqësuesja e Britanisë së Madhe në OKB, Barbara Woodward tha se ky është një “moment vendimtar” për Lindjen e Mesme dhe përsëriti se Londra zyrtare nuk mori pjesë në sulmet e SHBA-së ose Izraelit ndaj Iranit.
“Ne i kërkojmë Iranit tani të tregojë përmbajtje dhe i nxisim të gjitha palët të kthehen në tryezën e negociatave dhe të gjejnë një zgjidhje diplomatike, e cila ndalon përshkallëzimin e mëtejshëm dhe i jep fund kësaj krize,” tha ajo.
Woodward i bëri thirrje Teheranit të bashkëpunojë plotësisht me mbikëqyrësin bërthamor të OKB – Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, në hetimet e saj.
Ambasadori i Iranit në OKB Amir-Saeid Iravani tha se “koha, natyra dhe shkalla e përgjigjes së Teheranit ndaj sulmeve të SHBA-së do të vendosen nga forcat e tij të armatosura” dhe se “të gjitha akuzat amerikane kundër Iranit janë të pabazuara dhe të motivuara politikisht.”
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?