Një raport i inteligjencës amerikane ka implikuar princin saudit të kurorës, Mohammed bin Salman, në vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi, më 2018.

Në raportin e deklasifikuar, të publikuar nga administrata e presidentit amerikan, Joe Biden është thënë se princi ka miratuar planin për rrëmbimin apo vrasjen e gazetarit që ka jetuar në Shtetet e Bashkuara.

Kjo është hera e parë që SHBA-ja ka përmendur publikisht princin e kurorës në këtë çështje, i cili ka mohuar të ketë dhënë urdhrin për vrasje.

Khashoggi është vrarë teksa ka vizituar konsullatën saudite në Stamboll. Ai është njohur si kritik i autoriteteve saudite.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka njoftuar, pas publikimit të raportit, se do të zbatohen kufizime në viza amerikane për 76 individë sauditë.

Ai ka thënë se kufizimet në viza janë pjesë e një politike të re, të quajtur “Ndalesa Khashoggi”, e cila i mundëson Departamentit të Shtetit të vendosë kufizime në viza ndaj individëve që veprojnë në emër të një qeverie të huaj “për të shtypur, frikësuar, kërcënuar apo dëmtuar gazetarët, aktivistët apo personat tjerë”, që konsiderohen disidentë.

Më 2018, Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) ka thënë se beson që princi i kurorës ka dhënë urdhrin për vrasje, mirëpo, supozimet se ai ka qenë i përfshirë në këtë rast nuk janë bërë publike nga zyrtarët amerikanë deri më tani.

Presidenti amerikan, Joe Biden pritet të ketë qasje më të ashpër sesa paraardhësi i tij, Donald Trump, në fushën e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit në Arabinë Saudite, një aleat kyç i SHBA-së në Lindje të Mesme.

Në një bisedë telefonike, të zhvilluar të enjten në mes të babait të princit, Mbretit Salman dhe presidentit amerikan, Biden ka “përmendur sa të rëndësishme për SHBA-në janë të drejtat universale të njeriut dhe sundimi i ligjit”, ka thënë Shtëpia e Bardhë.

Sipas burimeve të cituara nga agjencia e lajmeve, Reuters, administrata Biden është duke shqyrtuar mundësinë e anulimit të marrëveshjeve për armë me Arabinë Saudite, si dhe të kufizojë në të ardhmen shitjet e armëve “për mbrojtje”.

Autoritetet saudite kanë thënë se vdekja e Khashoggit është rezultat i një “operacioni mashtrues” të një ekipi agjentësh, të cilët janë dërguar në ambasadë për ta kthyer gazetarin në Arabinë Saudite.

Ky shtet ka dënuar pesë individë me 20 vjet burgim në shtator të vitit të kaluar, ndonëse fillimisht ata janë dënuar me dënim me vdekje.

Sipas prokurorëve sauditë, Khashoggit i është injektuar një dozë e madhe e drogës, prej të cilës ai ka vdekur. Trupi i tij më pas është copëtuar dhe u është dorëzuar bashkëpunëtorëve jashtë konsullatës. Vendndodhja e trupit të tij vazhdon të jetë e panjohur.

Më 2019, raportuesja speciale e Kombeve të Bashkuara, Agnes Callamard ka akuzuar shtetin saudit për “ekzekutim të paramenduar” të Khashoggit, derisa gjyqin saudit e ka konsideruar “antitezë të drejtësisë”./rel