Shefja e BE-së përgëzon Ukrainën për “përparim të shkëlqyer” në rrugën drejt bllokut

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë të shtunën se Ukraina ka bërë “përparim të shkëlqyeshëm” drejt anëtarësimit në Bashkimit Evropian.

Ajo i ka bërë këto deklarata gjatë një vizite në kryeqytetin ukrainas, Kiev.

Sipas saj, Ukraina ka shënuar përparim në shumë drejtime, pavarësisht luftës së Rusisë në tokën e saj, dhe theksin e ka vënë në reformat në gjyqësor.

“Më duhet ta them se keni bërë përparim të shkëlqyeshëm”, ka thënë von der Leyen.

”E di që jeni në proces të përfundimit të reformave të rëndësishme. Nëse kjo ndodh, jam e bindur se Ukraina mund ta përmbushë synimin ambicioz të kalimit në fazën tjetër të procesit të anëtarësimit”.

Në vlerësimin që pritet ta publikojë BE-ja javën e ardhshme, do të shihet sa ka ecur përpara Ukraina në përmbushjen e kritereve të ndryshme, teksa e synon anëtarësimin në bllokun evropian.

Kievi ka aplikuar për t’u bërë pjesë e BE-së vetëm disa ditë pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

Zelensky ka thënë se Qeveria e Ukrainës i ka zbatuar të gjithë hapat e kërkuar, dhe është zotuar se do t’i çojë përpara reformat.

Ai ka thënë se është i gatshëm ta luftojë korrupsionin, ta përmirësojë transparencën, dhe ta zvogëlojë ndikimin e oligarkëve në ekonomi.

Të 27 vendet anëtarë të BE-së do ta mbajnë një samit në dhjetor, në të cilin do të vendosin nëse do t’ia mundësojnë Kievit nisjen e negociatave për anëtarësim.

Ky vendim kërkon mbështetje unanime.

Bisedimet për anëtarësim zakonisht zgjasin me vite dhe në atë proces duhet të kryhen shumë reforma ligjore, politike dhe ekonomike.

 

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./rel

 

Back to top button