Shembja e një pjese të objektit, deklarohet dekanja e Fakultetit të Filologjisë

 

Një pjesë e objektit të Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, më saktësisht një pjesë e departamentit të Gjuhës Angleze dhe Gazetarisë është shembur mbrëmë.

Lindita Rugova, dekane e Fakultetit të Filologjisë,  për rtv21.tv duke folur për arsyejet e shembjes tha se në muajin prill kanë filluar punimet për drenazhimin e objektit të Fakultetit të Filologjisë, të FSHMN-së dhe të Filozofikut, investim i UP-së për të trija fakultetet. Ndërsa ka shtuar se se ndërtesa e fakultetit është e vjetër dhe kanë pasur vazhdimisht probleme të ndryshme që lidhen me dëmtimet e shumta brenda dhe jashtë saj.

Mbrëmë, pas shembjes së një një pjese të objektit, Rugova ka treguar se kanë shkuar menjeherë në vendin e ngjarjes, së bashku me dekanin e Shkencave të Natyrës,  me prodekanët për infrastrukturë dhe me përfaqësuesit e kompanisë së ndërtimit.

“Pjesa që është shembur, është përdorur nga FSHMN-ja dhe jemi përpjekur me kompaninë e sigurimit t’i bllokojmë korridoret qe shpien drejt hapësirës ku ka ndodhur shembja e murit. Me gjasë ajo pjesë është aneksuar më vonë dhe nuk ka qenë e lidhur për strukturën e bazës së ndërtesës. UP e ka caktuar një kompani mbikëqyrëse që e kontrollon punën e kompanisë ndërtimore meqë janë punë ndërtimtarie dhe me specifika konkrete qe ne si dekanate nuk mund t’i percjellim si laikë që jemi në ndërtimtari”, ka përfunduar Rugova.

Shembja ka ndodhur mbrëm rreth orës 21:00./21Media

Back to top button