Sherifi numëron arsyet pse nuk bën të hiqet taksa

Sherifi kundër tërheqjes së taksës prej 100%

Sekretari i Përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi ka thënë se politika dinjitoze ndaj Serbisë nuk është popullizëm, por obligim shtetëror.

Në një shkrim të gjatë të publikuar në llogarinë e tij në “Facebook”, shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, është shprehur kundër tërheqjes së taksës prej 100% për produktet serbe.

Sherifi ka thënë se qeveria aktuale e Kosovës e ka marrë një rrugë tjetër në raport me Serbinë.

“Qeveria aktuale e Kosovës me kryeministër Ramush Haradinajn ka marrë një rrugë tjetër në raport me Serbinë. Ajo ka marrë disa vendime në mënyrë që t’i japë përgjigje adekuate sulmeve të Serbisë kundër shtetit të Kosovës. Vendimi më i rëndësishëm është ai për taksën 100%. Hashim Thaçi ishte i gatshëm t’ua japë të tjerëve postin e kryeministrit, por me kusht të vazhdimit të politikave të tij. Ai nuk është i gatshëm të pranojë që vendi, në raport me Serbinë, të aplikojë politika të kundërta me të tijat, sepse do të vërtetonin se ai gjatë tërë viteve të qeverisjes së vendit kishte pasur politika të gabuara në raport me Serbinë. Prandaj ai kërkon heqjen e taksës dhe do të bëjë çdo gjë që është në dorën e tij, madje deri në përpjekjet për rrëzimin e qeverisë vetëm e vetëm që të detyrojë qeverinë të heqë dorë nga politikat aktuale ndaj Serbisë”, ka shkruar ndër të tjera ai në “Facebook”.

Më tutje ai ka thënë se heqja dorë nga kjo rrugë do të ishte vendim i gabuar, sepse do të inkurajojnë Serbinë të mos ndryshojë qëndrimin ndaj Kosovës.

Gjatë ditës së djeshme, presidenti Hashim Thaçi u shpreh se tani është momenti t’i respektojmë këshillat miqësore amerikane.

“Zhvillimet aktuale dhe disa nga veprimet e institucioneve shtetërore janë duke u përcjellë me shqetësim nga qeveria amerikane. Kjo situatë është për keqardhje. Prandaj, tani është momenti t’i respektojmë këshillat miqësore amerikane, të cilat synojnë fuqizimin e shtetit të Kosovës dhe pacifikimin e rajonit. Teket personale të asnjë lideri shtetëror nuk guxojnë të lëndojnë interesin tonë shtetëror dhe atë strategjik të SHBA-së për Kosovën e më gjerë. Veprimet populiste nuk guxojnë të cenojnë vizionin dhe vendimet strategjike të Kosovës”, ka shkruar Thaçi dje në “Facebook”.

Back to top button